I. PAVARËSIA DHE PAANSHMËRIA

Pse duhet vlerësuar/matur:

Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon se: “Sistemi i     qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”[1].

Autonomia dhe pavarësia e gjyqtarëve përbëjnë garanci efektive për të drejtat e qytetarëve. Pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave nuk është një qëllim në vetvete. Respektimi i këtij parimi është një kusht i nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në paragrafin e dytë të nenit 42 të Kushtetutës parashikohet se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.  Në këtë kuptim, kjo pavarësi nuk është një privilegj, por një nga detyrat themelore të gjyqtarëve dhe të gjykatës, që rrjedh nga të drejtat e njeriut për të patur një arbitër të paanshëm në një konflikt, të garantuar nga Kushtetuta. Garantimi i një standardi të tillë përbën dhe kriterin orientues për të vlerësuar pavarësinë e  gjyqtarëve dhe të gjykatave[1].