1.2 – Pavarësia personale dhe paanësia e gjyqtarëve

1.2.1 Standartet e Performancës

Gjyqtarët u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Është e një rëndësie  themelore në një shoqëri demokratike që gjykatat të frymëzojnë besim te publiku dhe, mbi të gjitha, te palët në proces. Për këtë qëllim neni 42 i Kushtetutës kërkon që një gjykatë, e cila përfshihet në sferën e veprimit të tij, të jetë e paanshme. Parimi i paanshmërisë nënkupton mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët për çështjen e shtruar përpara tyre dhe që ata të mos  veprojnë në mënyrë të tillë që të ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme, jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë  të shprehur. E drejta për t’u gjykuar përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të caktuar me ligj, kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo, gjithashtu, duhet të shikohet që bëhet.

Respektimi i parimit të paanshmërisë duhet të verifikohet, duke zbatuar testinobjektiv, me të cilin shqyrtohet, nëse gjyqtari ka ofruar garanci procedurale të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim të anshmërisë dhe testin subjektiv, që ka të bëjë me verifikimin e bindjes ose të  interesit personal  të një gjyqtari në një çështje të caktuar. Nga pikëpamja e testit objektiv të paanshmërisë, kur shqyrtohet nëse në një çështje të caktuar ekziston një arsye e ligjshme për të dyshuar se një gjyqtar nuk është i paanshëm, këndvështrimi i atyre që paraqesin këtë pretendim ka rëndësi, por vendimtar mbetet përcaktimi   nëse ky dyshim është objektivisht i justifikueshëm[18].  

GJEDNJ-ja ka evidentuar dallimin midis kriterit subjektiv, i cili në thelb kërkon të provuarit e faktit, që bindja personale ose interesi i një gjyqtari  kanë ndikuar në vendimin e gjykatës, dhe kriterit objektiv, i cili kërkon të provuarit, nëse ai apo ajo ofruan garanci të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm”, si dhe “fakti i thjeshtë që gjyqtari ka marrë  vendim, në vetvete nuk mjafton për të mbështetur dyshimet rreth paanshmërisë së tij. Ajo që ka rëndësi është qëllimi dhe natyra e veprimeve, që kryen ai gjatë procesit gjyqësor”[19].

Pavarësia e gjyqtarit ka aspektin e saj:-  të brendshëm, që lidhet me pavarësinë e gjyqtarit, që të vendosë për çështjen pa u ndikuar nga vetë struktura  e gjyqësorit që i përket, pra marrëdhënia  e gjyqtarit e ndërlidhur me kolegët, kryetarin e gjykatës, apo  KLGJ,  dhe  – të jashtëm, që është pavarësia e gjyqtarit në ushtrimin e detyrës, pa u ndikuar nga politika, legjislativi, ekzekutivi, partitë politike, qarqet ekonomike, etj[20].

 

1.2.2 Treguesit e Realizimit

Pavarësia e gjyqtarit, ashtu si e gjyqësorit, mund të jetë objektive dhe subjektive dhe për të matur standardin e pavarësisë ka dhe tregues dhe nëntregues të ndryshëm[21].  Si tregues të realizimit të këtij standardi, kontrolli i brendshëm dhe korrigjues brenda sistemit gjyqësor sipas procedurave ligjore është më i rëndësishmi. Për pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarit, KPC dhe KPP, ashtu si dhe kontrolli kushtetues i procesit të rregullt ligjor, konkretisht elementi i paanësisë objektive dhe subjektive, janë tregues të realizimit së këtij standardi.

Tregues të tjerë janë: – përzgjedhja, emërimi dhe shkarkimi i gjyqtarëve; – përputhshmëria e udhëzimeve të Rrjetit Europian të Gjyqtarëve mbi emërimin e gjyqtarëve; – vlerësimi, promovimi, dhe shkarkimi i gjyqtarëve.

Masat disiplinore me këto tregues:- përputhshmëria e standardeve të ENCJ lidhur me masat disiplinore ndaj gjyqtarëve; – organi kompetent për marrjen e vendimeve ndaj masave disiplinore; – mostransferimi i gjyqtarëve me këto nëntregues: – garanci formale për mostransferimin; parashikime mbi transferimin pa pëlqimin e tyre.

Pavarësi e brendshme, sipas këtyre nëntreguesve: – ndikim nga gjyqtarët më të lartë; mundësia efektive e përdorimit të udhëzimeve; – ndikimi nga administratorët e gjykatës.[22]

Pavarësia subjektive është e lidhur me perceptimin që gjyqtarët, grupet  e interesit, përdoruesit e shërbimeve të drejtësisë, kanë në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit.

 

1.2.3 Metoda e Matjes

Metodë për matjen e respektimit të këtij standardi, pra pavarësia personale dhe paanësia objektive dhe subjektive të gjyqtarëve, janë:

  • Analiza e vendimmarrjeve gjyqësore nga gjykata më e lartë për më të ultën, sipas pretendimeve procedurale të palëve mbi paanësinë objektive dhe subjektive të gjyqtarit.
  • Statistikat gjyqësore, me një zë të veçantë, “shfuqizim të vendimeve gjyqësore për shkelje të rënda procedurale lidhur me paanësinë e gjyqtarit në gjykim”.
  • Analiza e GJEDNJ, për vendimet kundra Shqipërisë me objekt nenin 6 të KEDNJ dhe standardin e paanësisë.
  • Vendimet e KLGJ për shkarkimin e gjyqtarëve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pas ankimit të gjyqtarëve.
  • Sondazhe sipas standarteve të CEPEJ, lidhur me vetvlerësimin, që i bëjnë gjyqtarët pavarësisë së tyre[23].
  • Sondazhe të opinionit publik mbi perceptimin, që ata kanë mbi pavarësinë e gjyqtarëve si individë, sipas standardeve të CEPEJ.

 

 

 

[18] Vendimet: nr.7, datë 11.03.2008; nr.11, datë 02.04.2008; nr.23, datë 04.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese

[19] Vendimi i GJEDNJ, Gjonboçari kundër Shqipërisë, datë 31 mars 2005

[20] CCJE, 2001, Opinion nr. 1

https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?Ref=CCJE(2001)OP1&Sector=secDGHL&Language=lanEnglish&Ver=origin

al&BackColorInternet=FEF2E0&BackColorIntranet=FEF2E0&BackColorLogged=c3c3c3; the Council of Europe Committee of Ministers Recommendation CM/Rec (2010)12 at

https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?id=1707137&Site=CM; the Venice Commission report at www.venice.coe.int/docs/2010/CDL-AD(2010)004-e.pdf

[21] Raporti i ENCJ “Pavarësia, llogaridhënia dhe cilësia  e Gjyqësorit, Indikatorët e Performancës”, 2017, fq.15 -17

[22] Raporti i ENCJ, “Pavarësia, llogaridhënia dhe cilësia  e Gjyqësorit, Indikatorët e Performancës”, 2017,  fq.16

[23]Ibid:  Periodiciteti i matje së treguesve dhe realizimi i sondazheve mbi pavarësinë dhe llogaridhënien, rekomandohet në çdo dy vjet. Kjo sugjerohet pasi në më shumë se 2 vjet  mund të nxiste apatinë e gjyqtarëve për të qenë pjesmarrës, ose në më pak kohë do rriskonte domosdoshmërinë e pyetësorit, (fq.7)