1.5 – Meritokracia në karrierën gjyqësore

1.5.1 Standartet e Performancës  

Për ngritjen në detyrë,  gjyqtari duhet të plotësojë kriteret minimale për përvojën profesionale, por edhe kushte të tjera të lidhura me sigurinë, të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, apo me përvojën e veçantë të fushës të së drejtës për vendin e lirë. Parashikimet ligjore tregojnë dhe standardet e kërkuara të performancës dhe kriterizimin për karrierën e gjyqtarit[36].

Sistemi i vlerësimit bazohet dhe zbatohet nëpërmjet këtyre parimeve: a) parimi i pavarësisë, sipas të cilit procesi i vlerësimit nuk duhet të ndërhyjë në pavarësinë e magjistratit; b) parimi i meritokracisë dhe i zhvillimit të karrierës, sipas të cilit vlerësimi i veprimtarisë së magjistratit kryhet duke i dhënë rëndësinë më të madhe vlerave profesionale dhe cilësisë në punë, në funksion të zhvillimit të karrierës profesionale; c) parimi i efikasitetit, sipas të cilit vlerësimi i veprimtarisë kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë, me anë të procedurave të thjeshta dhe në afate kohore të arsyeshme për të siguruar të dhëna në kohën e duhur për karrierën e magjistratit;ç) parimi i procesit të rregullt ligjor, sipas të cilit në procedurën e vlerësimit respektohen standardet e procesit të rregullt ligjor për magjistratin, duke përfshirë të drejtën për t’u njohur me aktet, të drejtën e aksesit në dosjen e vlerësimit, të drejtën për të marrë pjesë në proces, të drejtën e kontradiktoritetit, tëdrejtën për t’u dëgjuar, të drejtën për t’u mbrojtur, të drejtën për të pasur një akt vlerësimi të arsyetuar dhe të drejtën për t’u ankuar mbi aktin e vlerësimit;d) parimi i konfidencialitetit, sipas të cilit subjektet e ngarkuara me detyrën e vlerësimit janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të magjistratit që vlerësohet, si dhe të dhënat e tij personale, sipas legjislacionit në fuqi[37].

 

1.5.2 Treguesit e Realizimit  

Treguesit objektivë të realizimi të standardit të meritokracisë kanë lidhje me parametrat ligjore të sanksionuar në ligj, si dhe realizimi i këtyre standardeve ligjore dhe respektimi nga organet emërtuese, KLGJ si organ kushtetues për vlerësimin e gjyqtarëve në varësi të aplikimeve të tyre, pritshmërive për karrierë dhe mundësisë së realizimit të saj.

 

1.5.3 Metoda e Matjes

Të dhëna dhe statistika të KLGJ mbi emërimet, vlerësimet dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve. Sondazhet mes vetë gjyqtarëve, dhe perceptimi i tyre për mundësinë reale dhe progresin e karrierës në gjyqësor.

 

 

[36] Neni 47-52 të ligjit nr.96/2016

[37] Neni 69 I ligjit nr.96/2016.