Faktori 1.1 Pavarësia institucionale e gjyqësorit

1.1.1 Standartet e Performancës

Pavarësia e gjyqësorit duhet kuptuar si pavarësi thelbësore, (tagër e gjykatave për të dhënë vendime me paanësi dhe pa u ndikuar nga interesat e ndonjë dege     tjetër të pushtetit), dhe si pavarësi strukturore. Si pjesë të pavarësisë strukturore konsiderohen njëkohësisht edhe pavarësia organizative dhe financiare[1].   

Kushtetuta ka sanksionuar vetqeverisjen e gjyqësorit, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë[2].

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj[3]. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi[4]. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit[5].

Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë bashkë me propozimin për buxhetin e sistemit gjyqësor, sipas procedurës së caktuar me ligj[6].

Këshilli i Lartë Gjyqësor kujdeset për organizimin dhe funksionimin e shërbimeve që lidhen me administrimin gjyqësor duke ushtruar kompetencat e mëposhtme:

  1. harton dhe ndjek zbatimin e politikave për administrimin gjyqësor;
  2. monitoron dhe menaxhon ngarkesën e gjyqtarëve dhe të gjykatave, kohëzgjatjen e çështjeve dhe aspekte të tjera të administrimit gjyqësor, bazuar në të dhënat e mbledhura, përmes sistemit të menaxhimit të çështjeve, me qëllim përmirësimin e produktivitetit të gjykatave ose uljen e ngarkesës së gjyqtarëve dhe të nëpunësve civilë gjyqësorë;
  3. miraton rregullat e brendshme standarde të gjykatës[7].

 

1.1.2 Treguesit e Realizimit

Pavarësia e gjyqësorit mund të jetë objektive dhe subjektive dhe për të matur standardin e realizimit të pavarësisë ka dhe tregues dhe nëntregues të ndryshëm[1]. Do duhej që për treguesit e realizimit për standardet e pavarësisë thelbësore, organizative dhe financiare të shtroheshin pyetje, si:

  • Sa i ka mekanizmat e duhur dhe efektivë të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit, Këshilli i Lartë Gjyqësor?
  • Sa buxhet kërkon gjyqësori për vetmenaxhim dhe vetqeverisje financiare dhe sa i miratohet nga Kuvendi, çdo vit?
  • Sa struktura dhe organikë kërkojnë institucionet e qeverisjes së gjyqësorit, dhe sa u miratohet nga Kuvendi?
  • Sa shtesa vjetore në lidhje me stafin dhe numrin e punonjësve kërkohet, dhe a u miratohen, shkurtohen, (…)?
  • Sa kërkesa paraqiten në Gjykatë Kushtetuese nga subjekte të legjitimuara në mbrojtje të interesave të gjyqësorit, dhe a/sa pranohen ato nga kjo gjykatë?
  • Sa është numri i vendimeve kundër ekzekutivit apo legjislativit, si trgues i fortë i pavarësisë së gjyqësorit dhe parimit të check &balance?
  • Sa mendojnë vetë gjyqtarët që janë të pavarur në aktivitetet gjyqësore?
  • Sa mendojnë qytetarët që gjyqësori është dhe vepron si i pavarur?

 

Pavarësia objektive është  e lidhur me funksionimin struktural të gjyqësorit dhe, ka këto nëntregues: – garancitë formale të pavarësisë, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj; -garancitë formale, që gjyqtarët i binden vetëm ligjit; – metodat formale mbi caktimin e pagave të gjyqtarëve;- mekanizmat formalë për përshtatjen e pagave të gjyqtarëve;- garancitë formale për përfshirjen e gjyqtarëve në zhvillimin e reformave ligjore dhe gjyqësore.

 

Autonomia organizative dhe financiare ka këto nëntregues: – pozita formale e Këshillit të Lartë Gjyqësor; – përputhshmëria me udhëzimet e Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësorë; – përgjegjësitë dhe kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor; – ndikimi i gjyqtarëve në vendimet  e Këshillit; – Buxheti i Gjyqësorit, amendimet e tij, dhe zgjidhja e konflikteve mbi buxhetin.[2]

1.1.3 Metoda e Matjes

Metoda e matjes për standardet  e realizimit të pavarësisë objektive dhe subjektive, duhet të fokusohet  në:

  • Analizimin e kuadrit juridik mbi pavarësinë organizative dhe financiare në raport me situatën faktike organizative dhe financiare, që rezulton për zbatimin e kuadrit juridik të financimit të gjyqësorit nga Kuvendi.
  • Krahasim mes buxheteve vjetore të miratuara, dhe atyre të kërkuara sipas nevojave. Statistika dhe analiza mbi kërkesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese nga subjektet e legjitimuara dhe pranimi apo refuzimi i këtyre kërkesave, me pretendime të lidhura me ndarjen dhe ballancimin e pushteteve, me pavarësinë e gjykatave, me paanësinë e gjyqësorit.
  • Sondazhe të opinionit publik mbi perceptimin, që ata kanë mbi pavarësinë e gjyqësorit, sipas standardeve të CEPEJ[1]. Perceptimi i pavarësisë në sistemin kombëtar sipas opinionit publik, bazuar në Indeksin Global të Shtetit të së Drejtës, 2016.
  • Raporte të autoriteteve ndërkombëtare mbi pavarësinë, dhe korrupsionin, (politik, financiar) si element varësie[2], si; Progres – Raportet e Komisionit Europian, sondazhe të ndryshme kombëtare mbi korrupsionin dhe besimin e qytetarëve tek institucionet e shtetit, përfshirë pushtetin gjyqësor[3].