Faktori 1.3 “Imunizimi” socio – politik i gjyqësorit

1.3.1 Standartet e Performancës

Imunizimi “socio – politik” është i lidhur me pavarësinë edhe paanësinë e gjyqësorit si pushtet por dhe gjyqtarit si funksionar publik.  Imunizimi struktural i gjyqësorit është kusht i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm, pasi dhe imunizimi i gjyqtarit duhet konsideruar si kusht sine qua non për pavarësinë e gjyqësorit. Një gjyqtar mund të influencohet gjatë punës së tij, nga  ndikime të jashtme si organizata dhe grupe të ndryshme interesi, por edhe nga brenda sistemit, nga kolegë ose nga gjyqtarë me karrierë më të sukseshme, në pozicion gjyqtari në gjykatat më të larta.  Gjyqtari nuk duhet të krijojë kontakte të papërshtatshme dhe nuk duhet të ndikohet nga pushteti ekzekutiv ose nga pushteti legjislativ. Gjyqtari duhet të marrë çdo masë për të qenë, dhe të duket se është jashtë çdo ndikimi prej tyre. Gjyqtari njofton menjëherë Këshillin dhe kryetarin, në rast se evidenton ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të papërshtatshëm ndaj tij[1]. Në çështjen Filippini v. San Marino, GJEDNJ u shpreh se, megjithëse simpatitë politike luajnë rol në procesin e emërimit, kjo është e pamjaftueshme për të ngritur dyshime lidhur me pavarësinë dhe me paanshmërinë e gjyqtarëve. Ajo që ka rëndësi për GJEDNJ është fakti, se nuk duhet të ketë orvatje për të influencuar gjyqtarët pas emërimit të tyre. Në çështjen Sacilor-Lormines, GJEDNJ konkludoi se: “emërimi i gjyqtarëve nga një anëtar i ekzekutivit, apo Parlamenti, në vetvete nuk krijon lidhje vartësie, me kusht që pas emërimit të tyre, mbi ta nuk ushtrohet presion në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore”.

Imunizimi ka lidhje me parakushtet formale dhe substanciale, institucionale dhe personale të natyrës ligjore, ekonomike, sociale dhe familjare, që i mundësojnë gjyqtarit të ushtrojë detyrën, dhënien e drejtësisë i pandikuar, i pavarur, dhe jo në konflikt interesi, sipas standardeve të Kartës Europiane të Statusit të Gjyqtarit, të Këshillit të Europës, 1998, si dhe Memorandumit Shpjegues të Kartës[2].

Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetërpolitike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit[3].

Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi. Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur: a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare;b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit;c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit[4]. Ligji nr.96/2016, ka parashikuar një sërë të drejtash lidhur me pagën e gjyqtarit, dhe përfitimeve financiare, kredi për shtëpi, paprekshmëria e pagës dhe përfitimeve të tjera, pushimet vjetore, kushtet e punës, etj.[5]

1.3.2 Treguesit e Realizimit  

Garantimi formal i imunizimit të gjyqtarit, përmes parametrave ligjorë, të infrastrukturës organizative të ushtrimit të funksionit, lëvizjes, karrierës së gjyqtarit.  Ku tregues është i lidhur me pavarësinë dhe llogaridhënien. Garantimi i kushteve ekonomike – sociale të gjyqtarit sipas ligjit për statutin e magjistratëve. Garantimi i kushteve të përshtatshme të punës, që i krijojnë komoditet në ushtrimin e funksionit. Garantimi i kushteve dhe kritereve ligjore për të realizuar me eficencë shqyrtimin e çështjeve gjyqësore.

Do të duhej që treguesit e realizimit të imunizimit socio – politik të gjyqtarit, të bëheshin mbi përgjigjen e pyetjeve të tilla, si:

  • Sa garantues është Kushtetuta dhe ligji për statusin e gjyqtarit, por edhe ligjet të tjera procedurale dhe materiale, ndaj pavarësisë dhe                              panësisë së gjyqtarit?
  • Sa garantues është statusi i gjyqtarit për garantimin e profesionit, palëvizshmërinë në detyrë dhe e vazhdimësisë së karrierës së tij?
  • Sa garantuese është paketa sociale dhe ekonomike e gjyqtarit ndaj ndërhyrjeje?
  • Sa të duhura dhe të përshtatshme janë kushtet e punës së gjyqtarit?
  • Sa miqësor/ armiqësor është ambjenti politik ndaj gjyqësorit/ndaj gjyqtarit?
  • Sa vulnerabël është gjyqësori/gjyqtari ndaj presionit politik?
  • Sa vulnerabël është gjyqtari ndaj mediatizimit të punës dhe rolit të tij në një çështje konkrete?

 

1.3.3 Metoda e Matjes

Analizë e statusit të gjyqtarit Shqiptar me standardet ndërkombëtare të kërkuara[6]. Hulumtim të situatës faktike dhe nivelit të zbatimit të ligjit për statusin e gjyqtarit, mbi parametrat ligjore, ekonomikë dhe socialë garantues të këtij imuniteti. Vlerësim të vulnerabilitetit të gjyqtarit ndaj ndërhyrjeve dhe korrupsionit, sipas Indekseve të GRECO[7].