Faktori 1.4 Mbrojtja e gjyqtarëve

1.4.1 Standartet e Performancës  

Garancitë mbrojtëse të gjyqtarëve të sanksionura në Kushtetutë, ofrojnë më tepër mbrojtje se sa ato të ofruara në legjislacion.

Kushtetuta ka sanksionuar vetqeverisjen e gjyqësorit, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë[1]. Kushtetuta ka sanksionur garanci mbrojtësë ndaj ndërhyrjeve në nivel gjyqësori dhe gjyqtari.  Kështu, ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit[2]. Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi[3].

Po kështu, Kushtetuta ka parashikuar garancitë mbrojtëse ndaj shkarkimit të gjyqtarit, duke parashikuar arsyet/shkaqet dhe organin kompetent për vendimin përfundimtar të ankimit, Gjykatën Kushtetuese. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.[4]

Nga ana tjetër, ka parashikime dhe mbrojtje të nivelit personal; si, paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur: a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare; b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit; c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit.[5]

Në çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë, GJEDNj u shpreh, për rëndësinë dhe garancitë e një procesi të rregullt ligjor ndaj kategorisë së gjyqtarëve, si dhe garancive mbi kohëzgjatjen e procedurave bazuar në natyrën e konfliktit të lidhur me dinjitetin njerëzor dhe marrëdhëniet e punës së ankueses, si gjyqtare e shkarkuar nga detyra.

 

1.4.2 Treguesit e Realizimit

Treguesit e realizimit të këtij standardi janë të njëjtë me treguesit e realizimit të standardit të pavarësisë institucionale dhe personale. Shih më lart 1.1.2 dhe 1.2.2.

 

1.4.3 Metoda e Matjes

Prodhim të statistikave dhe të dhëna mbi garancitë substanciale dhe procedurale të gjyqtarëve, gjatë proceseve disiplinore ndaj tyre. Raportime të ndryshme të autoriteteve përgjegjëse, për masën e realizimit të ligjit të statusit të magjistratit/gjyqtarit.