2.3 – Parashikueshmëria e vendimeve gjyqësore, siguria juridike dhe standartet e të gjykuarit.

2.3.1 Standartet e Performancës

Doktrina e së drejtës kushtetuese ka pranuar se, siguria juridike është ndër elementët thelbësore të shtetit të së drejtës. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve publike, përfshirë vendimet gjyqësore, që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se arsyetimi nga ana e gjykatave, ka rëndësi edhe në kuadrin e respektimit të parimit të sigurisë juridike, si një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës. Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit tek shteti, institucionet e tij dhe aktet që ato nxjerrin. Siguria juridike nënkupton, që në rastet kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi i saj nuk duhet të vihet në dyshim[54].

GjEDNJ ka vlerësuar se: “… kundërshtì brenda të njëjtit vendim të Gjykatës së Lartë janë të papajtueshme me funksionin e saj gjyqësor. Roli i një Gjykate të Lartë në një Palë Kontraktuese është pikërisht të zgjidhë konfliktet, të shmangë divergjencat dhe të jetë e njëtrajtshme. Në të vërtetë, në çështjen aktuale, vetë Gjykata e Lartë është bërë burim i pasigurisë duke cenuar besimin publik në sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor. Gjykata vëren që shtetet kontraktuese janë të detyruara të organizojnë sistemin e tyre ligjor në mënyrë që të lejojnë gjykatat të identifikojnë procedurat gjyqësore dhe, kur është e nevojshme, të shmangin miratimin e vendimeve të papajtueshme. Ajo vlerëson që problemi themelor në çështjen aktuale ka rezultuar nga shumëfishtësia e procedurave gjyqësore, të cilat duhet të ishin menaxhuar më mirë për të kontribuar në sqarimin e shpejtë të çështjes në fjalë. Për gjykatën, ekzistenca e procedurave gjyqësore paralele të shumta dhe të ndërlidhura, duke shtruar në thelb të njëjtën çështje ligjore nuk mund të konsiderohet në përputhje me shtetin e së drejtës. Autoritetet shqiptare, duke dhënë një sërë vendimesh kontradiktore në disa nivele të juridiksionit të tyre kanë demonstruar mangësi në sistemin gjyqësor, fakt për të cilin ato janë përgjegjëse. Për më tepër, mënyra në të cilën autoritetet e tjera vendase kanë proceduar nuk ka qenë aspak në përputhje me detyrimin e Palës Shqiptare për të trajtuar situatën e ankuesve në mënyrën më të qartë dhe koherente të mundshme dhe me qëndrueshmëri të plotë”[55].

Nga perspektiva e “court users”, cilësia e një vendimi gjyqësor nuk duhet parë stricto sensu,  si cilësi juridike apo cilësi e arsyetimit të vendimit, por edhe nga kohëzgjatja (eficenca), transparenca dhe mënyra e drejtimit të procedurave, komunikimi me palët, dhe cili është impakti i vendimit gjyqësor në shoqëri.

  

2.3.2 Treguesit e Realizimit  

Aspekti i arsyetimit ligjor të gjyqtarëve në marrjen e vendimeve vlerësohet, duke u bazuar në tregues të tillë si, qartësia dhe kuptueshmëria e vendimit, struktura e qëndrueshme dhe e mirëorganizuar e vendimit, si dhe cilësia e analizës dhe e argumentimit logjik[56].

Ndërmjet eficencës dhe drejtësisë mund të ketë një tension, por cilësia e vendimit gjyqësor nënkupton që gjyqtari duhet të arrijë në një rezultat  korrekt, për aq sa e lejon materiali që i është vënë  në dispozicion gjyqtarit, dhe korrektesa e vendimit përfundimtar nuk duhet sakrifikuar ose cënuar për shkak të eficencës. Kriteret e vlerësimit të cilësisë së vendimeve gjyqësore do të jenë:[57]

  • Sa të hapura dhe transparente, dhe në përputhje me parimet kryesore proceduriale (kontradiktoritetin, barazinë e armëve, të drejtat e mbrojtjes), ka qenë dëgjimi dhe vlerësimi që i ka bërë gjykata pretendimeve të palëve?
  • Sa e kuptueshme, e qartë dhe e thjeshtë ka qenë gjuha, me të cilën është shkruar vendimi?
  • Sa i pajtueshëm është vendimi me jurisprudencën unifikuese të Gjykatës së Lartë, dhe standartet dhe kriteret e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?
  • Sa merr në konsideratë vendimi gjyqësor, përveç koncepteve ligjore, edhe ato realitete të jashtme jo-ligjore, si p.sh konsideratat etike, ekonomike, dhe shoqërore?

 

2.3.3 Metoda e Matjes

Shih dhe faktorin 3.4. Kontrolli gjyqësor i vendimmarrjes brenda vetë sistemit kombëtar të së drejtës. Analiza e vendimmarrjeve gjyqësore nga gjykata më e lartë për më të ultën, sipas pretendimeve procedurale të palëve. Edhe nxjerrja e vendimeve njehsuese të Gjykatës së Lartë, është tregues i interpretimit ligjor nga gjykatat/ gjyqtarët në mënyrë të qartë, dhe të parashikueshëm.

Të dhëna dhe statistika mbi shfuqizimin e vendimeve, nga gjykatat më të larta për ato më të ultat, mbi këtë standard performance, pra parashikueshmëria  e vendimeve gjyqësore, dhe siguria juridike. Mbikqyrje dhe analiza mbi vendimet njehsuese të Gjykatës së Lartë dhe roli i tyre në kuadër të sigurisë juridike.

Sondazhe dhe anketime me opinion publik, mbi vendimmarrjen gjyqësore dhe perceptimin publik d.m.th me pranimin e tyre si të drejta nga opinioni publik dhe shoqëria, e lidhur me besueshmërinë, ose legjitimitetin e vendimeve gjyqësore.

 

 

 

[54] Vendimi nr.23/2007 i Gjykatës Kushtetuese

[55] Vendimi i GJEDNJ, Mullahi dhe të tjerë, kundër Shqipërisë

[56] Neni 72/3 i Ligjit nr.96/2016

[57] Opinioni nr.11/2008 i CCJE