2.5 – Integriteti në vendimarrje dhe ndershmëria e drejtimit të procedurave

2.5.1 Standartet e Performancës  

Integriteti i gjyqtarit është ingredienti më thelbësor i integritetit të gjyqësorit si një pushtet i vetëm[60]. Integriteti bëhet i matshëm përmes angazhimit ndaj vlerave profesionale të gjyqtarit, që janë sjellja gjyqësore e përshtatshme, kujdesi i duhur ndaj çështjes, respektimi i të drejtave procedurale të palëve, sensi i drejtësisë në vendimmarrje, si dhe paanësia.[61]

Profesioni i gjyqtarit kërkon standarde të larta gjykimi, konseguencë në qëndrime dhe çështje të njëjta, dhe menaxhimi të procesit gjyqësor, në mënyrë që palëve t’u rritet besimi tek drejtësia. [62]

Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës gjyqësore dhe të rregullave të sjelljes të gjyqtarëve, si dhe për mbikëqyrjen e respektimit të tyre.

Në veçanti Këshilli: a) bën publike standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së gjyqtarëve; b) rishikon herë pas here rregullat dhe, kur është e nevojshme, i ndryshon ato; c) analizon shkallën e zbatimit/respektimit të rregullave të etikës dhe raporton publikisht për gjetjet.[63]

Kryetari i Gjykatës mbikqyr respektimin e etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe bashkëpunon me Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe mbikëqyr disiplinën në punë të gjyqtarëve dhe kërkon fillimin e hetimit kur dyshohet shkelje disiplinore e gjyqtarëve në gjykatat e tyre[64].

 

2.5.2 Treguesit e Realizimit

Njësoj si tek treguesit e realizimit më lart, në 2.2.2., faktori 2.2. Integriteti në vendimmarrje dhe ndershmëria në drejtimin e procedurave duhet të orientohet nga:  

  • Sa e përshtatshme është sjellja gjyqësore e gjyqtarit ndaj palëve? Si kanë qenë veprimet e tij?
  • Sa garantues dhe i barazlarguar ka qenë ai në proces?
  • Sa etik ka qenë në gjuhën e përdorur gjatë procesit në komunikim?
  • Sa bindje i krijon palëve në proces se ka qenë i parapërgatitur për çështjen dhe i fokusuar në thelbin e konfliktit mes palëve?
  • Sa i pranueshëm është thelbi i vendimmarrjes?
  • A ka pasur ankim për sjelljen e gjyqtarit dhe pretendime gjatë procesit për sjelljen e tij gjyqësore?
  • A përbën fenomen sjellja jo e duhur gjyqësore? Sa ankesa ka në këtë drejtim?
  • Çfarë trendi tregojnë anketimet për sjelljen e gjyqtarëve në tërësi?
  • Po statistikat lidhur me ankimet ndaj tyre për sjellje të pandershme?

2.5.3 Metoda e Matjes

Etika në punë e gjyqtarit, në lidhje me angazhimin dhe përgjegjshmërinë në funksion, matet duke u bazuar në treguesit e dalë nga burimet e vlerësimit, të tilla si; rezultati i ankesave dhe verifikimi i tyre, mendimi i kryetarëve dhe vendimet përfundimtare për masat disiplinore brenda periudhës përkatëse të vlerësimit.

Integriteti i gjyqtarit, në lidhje me imunitetin e tij ndaj çdo ndikimi ose presioni të jashtëm, matet duke u bazuar në tregues të tillë si; rezultati i ankesave dhe verifikimi i tyre, mendimi i kryetarëve dhe vendimet përfundimtare për masat disiplinore brenda periudhës përkatëse të vlerësimit.

Paanësia e gjyqtarit, në lidhje me kujdesin e tij ndaj konfliktit të interesit dhe respektimin e çështjeve të grupeve në nevojë, duke përfshirë edhe çështjet e barazisë gjinore dhe të pakicave, matet duke u bazuar në tregues të tillë si përdorimi i gjuhës diskriminuese, numri tejet i lartë i kërkesave të pranuara të palëve për përjashtimin e gjyqtarit, si dhe tregues të tjerë që dalin nga burime të tjera vlerësimi[65].

Të dhënat dhe statistikat mbi ankesat ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit, mbi masat   disiplinore ndaj tij, mendimet të Kryetarit të gjykatës, etj. Referimi në studime, gjetje dhe raportime të ndryshme nga organizmat ndërkombëtarë, kombëtarë dhe Media. Sondazhe dhe përthithje mendimesh, edhe mbi baza perceptimi nga grupe të ndryshme interesi, ose opinioni publik i gjerë. Anketime edhe nga vetë gjyqtarët mbi vlerësimin e integritetit gjyqësor[66].

[60] ENCJ Report- Development of minimum judicial standards V 2014-2015 adopted The Hague 5 June 2015, fq.16.

[61] CCJE Opinion no. 3 to the Attention of the Committee of Ministers of the Council of Europe on the Principles Governing Judges’ Professional Conduct, in particular Ethics, Incompatible Behaviour and Impartiality 2002 and ENCJ London Declaration on Judicial Ethics.

[62] Profesioni gjyqtarit, Rrjeti i Lisbonës, Këshilli i Europës, https://www.coe.int/t/dghl/cooperation/lisbonnetwork/themis/Ethics/Paper2_en.asp

[63] Neni 83 i ligjit nr.115/2016

[64] Neni 39 i ligjit nr.98/2016

[65] Neni 75 i ligjit nr.96/2016

[66]Judicial Integrity Self- Assesment Checklist zhvilluar nga UNDP, fq.5-10, Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, 2018.