2.1 – Regjimi disiplinor

2.1.1 Standartet e Performancës

Palëvizshmëria dhe qëndrimi në detyrë janë dhe faktorë kyç për pavarësinë e  gjyqtarit. Megjithatë, rëndësia e pushtetit gjyqësor dhe pasja besim e publikut në të, detyrojnë   përcaktimin e mekanizmave llogaridhënës për anëtarët e gjyqësorit. Kjo qasje përfshin regjimin disiplinor ndaj gjyqtarëve, deri në shkarkimin e tyre, të cilët janë të papërshtatshëm për profesionin që ushtrojnë.[1]

Të gjithë gjyqtarët, përfshirë kryetarët e gjykatave janë subjekt i vlerësimit të tyre etik dhe profesional, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë ligj. Kryetarët vlerësohen gjithashtu edhe për veprimtarinë e tyre si kryetar gjykate[2].

 

Procedimi disiplinor mund të fillojë nëse gjyqtarët nuk i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë efikase dhe të duhur. Ky procedim duhet të kryhet nga një autoritet i pavarur ose gjykatë me të gjitha garancitë e një gjykimi të drejtë dhe t’i japë gjyqtarit të drejtën të kundërshtojë vendimin dhe masën. Masat disiplinore duhet të jenë proporcionale. Gjyqtarët nuk duhet të jenë personalisht përgjegjës kur vendimi i tyre rrëzohet ose ndryshohet në shkallë apeli.[3]

Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur: a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës; b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur :a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit[4].

Këshilli, mund të vendosë një ose më shumë nga këto masa disiplinore: a) vërejtje konfidenciale;  b) vërejtje publike; c) ulje e përkohshme e pagës: i) deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit; ii) në rastin e magjistratëve që kanë dhënë dorëheqjen, gjobë në një masë të barabartë me uljen e përkohshme të pagës; ç) ulje në detyrë nga një pozicion më i lartë në një më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër; d) pezullim nga detyra për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, me të drejtë për përfitimin e pagës minimale, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave; dh) shkarkim nga detyra[5].

Ligji ka parashikuar tre kategori shkeljesh: – 1.shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit gjyqësor;[6] – 2. shkeljet disiplinore gjatë ose në lidhje me ushtrimin e funksionit, brenda ose jashtë zyrës;[7] – 3. shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit.[8]

 

KLGJ  përbëhet nga komisione të përhershme të përcaktuara me ligj, përfshirë Komisionin e Disiplinës, i  cili përbëhen nga tre anëtarë të Këshillit. Dy nga anëtarët e Komisionit të Disiplinës së KLGJ-së janë gjyqtarë dhe njëri është jo-gjyqtar[9]. Ky komision është vendimmarrës lidhur me çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve.

 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. ILD është i vetmi autoritet përgjegjës për hetimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve, duke filluar nga marrja dhe verifikimi i ankesës, për të vijuar me hetimin disiplinor dhe finalizimin e procesit me fillimin e procedimit disiplinor përpara Këshillit përkatës – KLGJ për gjyqtarët[10].

 

Kryetari i Gjykatës mbikëqyr respektimin e etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe bashkëpunon me Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe mbikqyr disiplinën në punë të gjyqtarëve dhe kërkon fillimin e hetimit kur dyshohet shkelje disiplinore e gjyqtarëve në gjykatat e tyre[11].

 

2.1.2 Treguesit e Realizimit  

Ka një mbivendosje mes pavarësisë, llogaridhënies dhe disiplinimit, dhe disa tregues të pavarësisë dhe llogaridhënies mund të jenë dhe tregues të regjimit disiplinor. Ka dy lloj treguesish të realizimit, objektivë dhe subjektivë.

 

Treguesit objektivë duhet të konsiderohen si ato të lidhura strukturalisht me gjyqësorin, ashtu dhe ato të lidhura individualisht me gjyqtarin. Regjimi disiplinor nuk është i mjaftueshëm për gjyqësorin si i tërë, por edhe për gjyqtarët individualisht. Përgjegjësia është e dyanshme: kolektive dhe individuale:

– kolektive, pasi është detyrë e gjyqësorit të përcaktojë përmes rregullave, parimeve dhe procedurave, nivelin e performancës së duhur të gjyqtarëve;

– individuale, pasi është përgjegjësi individuale e gjyqtarit t’i bindet atyre rregullave.[12]

Treguesit objektivë të realizimit janë: -1. Miratimi e një Kodi të Sjelljes Gjyqësore, i cili e bën llogaridhënës gjyqtarin para opinionit publik për jetën e tij profesionale dhe personale; – 2. Procedura ankimi ndaj gjyqtarit, në rast se pretendohet mbi shkaqe të pranueshme sjellja e tij jo etike dhe profesionale; – pjesmarrje  aktive e përfaqësuesve nga jashtë sistemit, që  e bën gjyqtarin llogaridhënës;  – apelim ndaj vendimit që mund të ketë vendosur në favor të gjyqtarit;- numri i ankimeve, që mund të tregojë deri ku është niveli i llogaridhënies në gjyqpësor;- numri i sanksioneve;- kohëzgjatja  e këtyre ankimeve dhe qasja pro aktive penalizuese e organeve kompetente disiplinore iniciuese të procesit si dhe vendimmarrëse, ndaj sjelljes së gjyqtarëve; – 3. Transparenca për kodet etike, udhëzimet si dhe aktivitetet e lidhura me proceset disiplinore ndaj gjyqtarëve, informim dhe akses i publikut dhe Medias.

 

 

2.1.3 Metoda e Matjes

Treguesit objektivë lidhen me analizimin e legjislacionit parësor dhe dytësor dhe përputhshmërinë me standardet më të mira ndërkombëtare. Statistikat e prodhura nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe KLGJ, (Komisioni Disiplinor), mund të nxjerrin konkluzione dhe përfundime mbi standardet e llogaridhënies dhe regjimit disiplinor. Po ashtu anketime me ekspertë dhe profesionistë të specializuar që njohin sistemin gjyqësor, lidhur me përthithjen e opinionit të tyre mbi llogaridhënien e gjyqësori dhe gjyqtarëve. Treguesit subjektivë kërkojnë ekzistencën e sondazheve për përthithje opinioni mes grupeve të ndryshme në shoqëri mbi krijimin dhe funksionimin e kulturës së lllogaridhënies nga gjyqtarët dhe gjyqësori.