3.1 – Aksesi në një drejtësi cilësore, komunikimi me përdoruesit e gjykatave dhe publikun

3.1.1 Standartet e Performancës  

Standardet kushtetuese[68] dhe ligjore të aksesit të informacionit gjyqësor dhe administrativ[69], praktikat kombëtare Shqiptare institucionale, dhe standartet ndërkombëtare të deklaruara[70] kërkojnë akses efektiv të palëve të interesuara, por edhe të publikut në informacion.

Garantimi i aksesit, kërkon të drejtën për të aksesuar dokumentacionin gjyqësor[71], dhe të drejtën për të aksesuar, (për të parë dhe marrë një kopje), të çdo lloj informacioni/rekordi/rregjistri gjyqësor, përfshi edhe atë jo – dokumentar dhe që e tejkalon thjesht një “dosje gjyqësore”. Për aq sa është e mundur, gjykatat duhet t’i ofrojnë shërbimet e tyre ndaj palëve ndërgjyqëse, përmes përdorimit të teknologjive të reja.[72] Gjykatat duhet të intensifikojnë përdorimin e rrugëve elektronike të komunikimit me publikun.[73]

Çdo person duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe pa asnjë diskriminim nga gjykatat. Çdo person ka akses të barabartë në gjykatë, si dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij ligjore. Gjykatat duhet të funksionojnë në mënyrë transparente, të shpejtë dhe efikase[74].

Ligji nr. 115/2016 ka parashikuar që Këshilli të caktojë një nga anëtarët e tij për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, ashtu si dhe të caktojë të paktën një gjyqtar për mediat për çdo juridiksion apeli. Në ato raste kur komunikimi me publikun nuk mund të kryhet prej tij, shërbimi kryhet nga shërbimi i shtypit i Këshillit.

3.1.2 Treguesit e Realizimit  

Mënyra e zbatimit  të këtyre standardeve në nivel stafi administrativ të gjykatave dhe në nivel institucional nga gjykata.

Treguesit objektivë të transparencës së gjyqësorit: – ekzistenca e mekanizmave transparentë për menaxhimin e çështjeve; -përmbajtja e mekanizmave për menaxhimin e çështjeve; – procedura e ankimit me mundësinë e pjesmarrjes nga jashtë në këtë procedurë; – qëllimi i procedurës së ankimit; – apelimi i vendimit pas ankimit; – numri i ankimeve.

Raporte periodike të gjyqësorit me këto nëntregues: – raporte vjetore; – publikim i raporteve vjetore; -qëllimi i raporteve vjetore; – marrëdhënie me Mediat me këto nën tregues: shpjegime të vendimeve gjyqësore në Media;- udhëzime të disponueshme mbi marrëdhëniet me Median;- raportim i çështjeve nga Mediat- caktimi i gjyqtarit për median pranë çdo gjykate apeli.

3.1.3 Metoda e Matjes

Metoda e matjes  së standardit të transparencës, arrihet duke vlerësuar kuadrin juridik shqiptar mbi transparencën, duke monitoruar praktikën administrativo-gjyqësore Shqiptare lidhur me aksesin në informacion dhe dokumentacion në krahasim me standardet e kërkuara ligjore. Monitorime dhe matje sipas metodologjive të njohshme dhe të eksploruara tashmë, përmes një sërë indikatorësh, nga subjekte të ndryshme të shoqërisë civile, por edhe Media, dhe prodhim i analizave në drejtim të realizimit të këtij standardi. Marrëveshje bashkëpunimi me institucionin e pavarur administrativ të Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe krijim metodologjie shkencore për matjen e  aksesit në informacion sipas standardeve të brendshme dhe ndërkombëtare.

 

 

[68] Neni 23, prg.1 dhe prg.2 të Kushtetutës

[69] Neni 339/1 i Kodit të Procedurës Penale dhe neni 26 i Kodit të Procedurës Civile; Ligji nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”

[70] Janë  afirmuar nga Gjykatat, Kushtetutat, Traktatet ndërkombëtare, (neni 10 i KEDNJ, neni 11 i Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore të BE-së, etj)

[71] Rregullorja nr.1049/ 30 Maj 2001 e (KE) “Mbi aksesin e publikut në dokumentacionin e Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit Evropian”

[72] Rekomandimi No. R (2001) 3 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi ofrimin e shërbimeve gjyqësore dhe të shërbimeve të tjera ligjore përmes përdorimit të teknologjive të reja

[73] Rekomandimi No. R (2001) 3 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi ofrimin e shërbimeve gjyqësore dhe të shërbimeve të tjera ligjore përmes përdorimit të teknologjive të reja

[74] Neni 5 i Ligjit nr.98/2016