3.4 – Arsyetimi i vendimeve gjyqësore

3.4.1 Standartet e Performancës

Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara. Gjykata e Lartë duhet t’i botojë vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës[82].Gjyqtari duhet të shpjegojë arsyet e vendimeve të tij, duke iu referuar fakteve për të cilat është zhvilluar procesi, ligjeve të zbatueshme dhe kërkesave të ndryshme të palëve. Në tërësinë e tij ai duhet konsideruar si një unitet, në të cilin pjesët përbërëse janë të lidhura ngushtësisht mes tyre. Ato duhet të jenë në shërbim dhe funksion të njëra-tjetrës. Argumentet e pjesës arsyetuese duhet të jenë të bazuara dhe të lidhura logjikisht, duke respektuar rregullat e mendimit të drejtë. Ato duhet të formojnë një përmbajtje koherente brenda vendimit, i cili përjashton çdo kundërthënie ose kontradiksion të hapur ose të fshehtë. Këto argumente duhet të jenë gjithashtu të mjaftueshme për të mbështetur dhe pranuar pjesën urdhëruese. Konkluzionet e pjesës arsyetuese duhet të bazohen jo vetëm në aktet ligjore, por edhe në parimet dhe rregullat, që karakterizojnë mendimin e shëndoshë e logjik.[83]

Arsyetimi i vendimeve është element thelbësor i një vendimi të drejtë. Vendimi mund të kontrollohet nga një gjykatë më e lartë sipas procedurave përkatëse dhe, që kjo të jetë e mundur, duhet bërë arsyetimi i vendimit, në të cilin gjyqtari tregon me qartësi faktet dhe ligjin e zbatueshëm, të cilat e kanë çuar në bërjen e një zgjedhjeje ndërmjet disa mundësive.[84]

Funksion i një vendimi të arsyetuar është t’u tregojë palëve që ato janë dëgjuar. Nga ana tjetër, vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar mund të realizohet një kontroll publik i administrimit të drejtësisë[85]. Neni 6 i KEDNJ detyron gjykatat të arsyetojnë vendimet e tyre, por kjo nuk mund të kuptohet sikur kërkohet një përgjigje e detajuar për çdo argument.[86]

Aspekti i arsyetimit të vendimit gjyqësor vlerësohet, duke u bazuar në tregues të tillë, si qartësia dhe kuptueshmëria e vendimit, struktura e qëndrueshme dhe e mirorganizuar e vendimit, si dhe cilësia e analizës dhe e argumentimit logjik.[87]

Një vendim gjyqësor që ka të qartë vetëm dispozitivin është një vendim, që jep vetëm qartësi dhe siguri juridike, vendimi duhet të demonstrojë se a) gjyqtari ka “kuptuar dhe pasqyruar siç duhet rastin e veçantë para tij”, dhe se gjyqtari  b) “ka bërë drejtësi ndërmjet palëve”, duke parandaluar konflikte të tjera, dhe kontribuar në harmoninë sociale.

 

3.4.2 Treguesit e Realizimit

Analiza e vendimmarrjeve gjyqësore nga gjykata më e lartë për më të ultën, sipas pretendimeve procedurale të palëve, është tregues i realizimit të këtij standardi, i cili do të duhej të fokusohej në këto pyetje:

  • A është arsyetimi i qartë dhe i kuptueshëm[88], dhe i plotë në lidhje me bazën ligjore, dhe analitik në lidhje me faktet dhe provat që e justifikojnë atë?
  • A i është përgjigjur gjyqtari në arsyetimin e vendimit të gjitha pretendimeve të palëve, dhe a i ka specifikuar, duke i arsyetuar të gjitha pikat, që e justifikojnë marrjen e vendimit gjyqësor, dhe e bëjnë atë të ligjshëm?
  • A reflekton vendimi përputhshmëri me parimet e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, dhe GJEDNJ?
  • Sa ankesa dhe rekurse ka bazuar mbi cenimin e këtij standardi nga palët e interesuara?
  • Sa shpesh vendimi gjyqësor i gjyqtarëve konkrete bëhet i cenueshëm nga gjykatat më të larta, pikërisht për mosplotësim të standardit të arsyetimit?

 

3.4.3 Metoda e Matjes

Metoda e matjes njësoj si tek 2.3.3 më lart. Të dhëna dhe statistika mbi shfuqizimin e vendimeve, nga gjykatat më të larta për ato më të ultat, mbi këtë standard performance, pra arsyetimi i vendimeve gjyqësore.  Hulumtim dhe analizë statistikore e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese  në drejtim të standardit të arsyetimit gjyqësor. Kontrolli gjyqësor i vendimmarrjes brenda vetë sistemit kombëtar të së drejtës mbi këtë element është standard i realizimit,  por edhe i matjes së nivelit të arsyetimit të vendimit gjyqësor.

 

 

 

[82] Neni 142 i Kushtetutës

[83] Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 02.04.2008; nr.7, datë 09.03.2009; nr.23, datë 23.07.2009

[84] Ibid

[85] Vendimi i GJEDNJ në çështjen Hirvisaari kundër Finlandës, 27 shtator 2001, prg. 30

[86] Vendimi i GJEDNJ në çështjen Van de Hurk kundër Hollandës, 19 prill 1994, prg. 61

[87] Neni 72/3 i Ligjit nr.96/2016

[88] Opinioni nr.7/2005 i CCJE