4.2 – Impakti i menaxhimit të çështjeve, si rrjedhojë e rolit të vetë gjyqtarit mbi kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore

4.2.1 Standartet e Performancës  

GJK ka theksuar se, arsyeja e zgjatjes së procesit duhet të vlerësohet mbi bazën e kritereve të përcaktuara në jurisprudencën e GJEDNJ-së, sipas së cilës arsyeja e kohëzgjatjes së procesit gjyqësor duhet të vlerësohet nën dritën e rrethanave të veçanta të çështjes, duke pasur parasysh sidomos kompleksitetin e çështjes, sjelljen e kërkuesit, sjelljen e autoriteteve, si dhe rrezikun që passjell për kërkuesin kjo tejzgjatje e afateve të gjykimit[96]. Tek sjellja e autoriteteve, si element ndikues analizohet dhe roli i gjyqtarit përkatës në çështjen gjyqësore, pra sa ai/ajo me mënyrën e menaxhimit ka ndikuar në zvarritjen e procesit gjyqësor.

“Standardet minimale të afatit” janë afate orientuese, brenda të cilave një çështje duhet të përfundojë. Këshilli miraton dhe rishikon standardet minimale të afatit, në mënyrë të veçantë për lloje të ndryshme çështjesh, duke vlerësuar natyrën, kompleksitetin dhe sasinë e çështjeve të regjistruara në gjykatë, si dhe infrastrukturën e gjykatës[97].

Sipas GJEDNJ, shtetet duhet të kërkojnë mënyra për t’u siguruar që sistemet e tyre gjyqësore nuk krijojnë vonesa në procese gjyqësore. Shtetet duhet t’i organizojnë sistemet e tyre ligjore për t’u mundësuar gjykatave të tyre që të garantojnë të drejtën për të marrë një vendim përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme.[98] Megjithatë, përgjegjësia kryesore për përgatitjen e çështjes dhe për kryerjen e shpejtë të një gjykimi u takon gjyqtarëve[99].

GJEDNJ-ja ka konstatuar se ndryshimet e përsëritura të gjyqtarëve “nuk mund ta zhveshin shtetin nga përgjegjësia, pasi ai është përgjegjës për të siguruar që administrimi i drejtësisë është organizuar siç duhet.[100] Ashtu sikurse një “mbingarkesa kronike” e gjykatave me çështje nuk i justifikon proceset e tejzgjatura[101].

Nga standardet e SATURN, rezulton që personat përgjegjës për administrimin e drejtësisë janë që nga kryetari i Gjykatës, gjyqtarët specifikë, këshilltarët dhe i gjithë stafi administrativ që është i përfshirë në procesin vendimmarrës sipas rolit të tij/saj. Kohëzgjatja që merr apo duhet të marrë një çështje gjyqësorë duhet bazuar në statistika dhe analiza mbi statistikat. Duhet të ketë informacion të mjaftueshëm se sa zgjat një çështje e caktuar dhe se sa zgjasin specifikisht të gjitha fazat e procesit nga regjistrimi i  kërkesës deri në shpalljen e vendimit. Vetëm pasi realizohet ky proces vendosen dhe standardet e brendshme për kohëzgjatjen e një çështje, ose standardet e një gjykate të caktuar për çështjen dhe monitorohet zbatimi i standardeve, pra dhe përgjegjësia specifike e personit sipas kompetencës/rolit  përkatës në proces[102].

4.2.2 Treguesit e Realizimit  

Potenciali dhe/ose aftësitë e gjyqësorit për ta shfaqur këtë potencial, (kapacitetin  professional të sistemit të  drejtësisë/gjyqësor/në varësi të burimeve (njerëzore, financiare, etj.)[103] Impakti i organizimit dhe menaxhimit të brendshëm të gjykatave (procedurat e caktimit të çështjeve, disponueshmëria e informacionit dhe rekordeve gjyqësore për palët dhe publikun) etj, mbi shpejtësinë e gjykimit dhe arritjen në një vendim përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme.

Realizimi bëhet e bazuar mbi treguesit e mëposhtëm:

  • Cilat janë kapacitetet profesionale të gjyqtarit për të dhënë vendime brenda një kohëzgjatjeje të arsyeshme dhe sa ndikojnë (impakti), ato në kohëzgjatjen e procedurave?
  • Si varion ky tregues për kategori të ndryshme rastesh, p.sh për çështje penale, civile, administrative, rastet e korrupsionit dhe të krimeve të rënda, të procedurave të falimentimit, të së drejtës së konsumatorit, të të miturve, etj?
  • Cili është ndikimi i menaxhimit administrativ të gjykatave në shpejtësinë e gjykimit të çështjeve?
  • Si është mjaftueshmëria e burimeve njerëzore dhe financiare në raport me shpejtësinë e gjykimit të një çështjeje?

 

4.2.3 Metoda e Matjes         

Njësoj si tek 4.1.3.

 

 

 

[96] Vendimi nr.59, datë 16.09.2016 i Gjykatës Kushtetuese

[97] Neni 2/m i ligjit nr.96/2016

[98] Cocchiarella k. Italisë, Nr. 64886/01, 29 mars 2006, prg. 119; Dobbertin k. Francës, nr. 13089/87, 25 shkurt 1993, prg. 44.

[99] Capuano k. Italisë, nr. 9381/81, 25 qershor 1987, prg. 30-31.

[100] Lechner dhe Hess k. Austrisë, nr. 9316/81, 23 prill 1987, prg. 58.

[101] Probstmeier k. Gjermanisë, nr. 20950/92, 1 korrik 1997, prg. 64.

[102] SATURN guidelines for judicial time management, CEPEJ- SATURN (2015)

[103] EU Justice Scoreboard, online: http://ec.europa.eu/justice/effective-justice/files/justice_scoreboard_2016_en.pdf.