4.4 – Njohuritë profesionale dhe mbështetja për gjyqësorin në juridiksionin e specializuar, dhe në çështjet me elementë ndërkombëtare

4.4.1 Standartet e Performancës  

Standardet organizative – strukturale, kushtetuese dhe ligjore kërkojnë:

– Gjykata të posaçme: a) gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit; b) Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe e Apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Gjykata e Lartë gjykon çështje të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm[108].

–  Seksione  brenda gjykatave, për të mundësuar specializimin, kur kjo është e nevojshme, bazuar në kritere objektive, në veçanti në numrin e gjyqtarëve në gjykatë, llojin dhe numrin e çështjeve në të paktën tri vitet e fundit në atë gjykatë. Seksionet e gjykatave përbëhen nga së paku gjashtë gjyqtarë. Caktimi i gjyqtarëve në seksione dhe trupa gjykues bëhet duke marrë parasysh përvojën profesionale dhe fushën e tyre të interesit.[109]

Gjyqtarët performojnë në ushtrimin e funksionit të tyre, në nivel më të lartë ekspertize, nëse specializohen në fusha të caktuara dhe konkrete, (tregtare, civile, familjare, administrative, krim i organizuar dhe antikorrupsion).

 

4.4.2 Treguesit e Realizimit  

Treguesit e realizimit do të duhej të fokusoheshin në:

  • Sa mbështetje kanë gjykatat e posaçme bazuar mbi specifikën e tyre, ndryshe nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm?
  • Sa mbështetje kanë gjyqtarët sipas fushave të specializimit dhe natyrës së çështjeve që gjykojnë?
  • Sa buxhet shpenzohet për nevojat e shfrytëzimit të kontakteve ndërkombëtare, në rastet kur është e nevojshme?
  • Sa menaxhim dhe eficencë, kanë rastet kur kërkohet ekspertizë ndërkombëtare?
  • Si realizohet ndihma juridike mes gjykatave të shteteve të huaja?
  • Si facilitohet ndërveprimi mes disa institucioneve në raste konkrete dhe të ndërlikuara?

 

4.4.3 Metoda e Matjes

Krahasim i situatës de jure me situatën de facto lidhur me kërkesat e ligjit për specializim të gjyqtarëve dhe përfshirjen e tyre në gjykim sipas përvojës profesionale. Ballafaqim i legjislacionit dhe praktikës shqiptare me standardet dhe praktikat më të mira të fushës. Sondazhe mbi vetvlerësimin e vetë gjykatave dhe gjyqtarëve për mbështetjen që u duhet garantuar me qëllim gjykimin e çështjeve me elementë ndërkombëtarë.

 

 

 

[108] Neni 3/3 i ligjit nr.98/2016.

[109]Ibid, neni 23.