4.5 – Kostot e procesit, shpenzimet proceduriale dhe mjaftueshmëria me personel e trupës gjyqësore, si dhe me personel mbështetës administrative-jogjyqësor.

4.5.1 Standartet e Performancës

Përcaktimi i tarifave gjyqësore në gjykimin e çështjeve civile, administrative, bëhet me qëllim përfitimin e shërbimeve efektive dhe cilësore të ofruara nga gjykata. Kuadri ligjor mbi kostot e procesit; KPC, Kreu IV, nent 102-110[110],   ligji nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”,  si dhe ligji nr.111/2017, “Për Ndihmën Juridike të garantuar nga Shteti”, duket i plotë nga pikëpamja normative, dhe që mund të arrijë të garantojë akses efektiv të individëvë në gjykatë, por edhe të sigurojë të ardhura për buxhetin e gjykatës, në favor të cilësisë së shërbimeve gjyqësore.

Administrimi i mirë i drejtësisë fillon me garancinë që një individ të ketë akses në gjykatë për t’i siguruar atij të gjitha aspektet e shqyrtimit të një çështje gjyqësore. Aksesi në gjykatë duhet të jetë substantiv dhe jo thjesht formal. Mohimi i të drejtës për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj për pretendimet e ngritura, përbën cenim të së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor. Aksesi në gjykatë është, para së gjithash, një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera kushtetuese dhe ligjore.

Aksesi në ndihmë juridike falas duhet konsideruar si pjesë e rëndësishme e nenit 6 të KEDNJ, të së drejtës për proces të rregullt ligjor. Është pikërisht e drejta për ndihmë juridike falas, që garanton akses cilësor në drejtësi, përmes përjashtimit nga tarifat dhe shpenzimet gjqyësore si dhe përmes mbrojtjes me përfaqësues ligjor të garantuar nga shteti. GJEDNJ ka theksuar se për të shmangur arbitraritetin, shtetet duhet të parashikojnë një mekanizëm, që selekton çështjet, që mund të përfitojnë ndihmë juridike falas[111].Varet nga shteti përkatës, që të krijojë një sistem të tillë ndihme juridike të garantuar nga shteti, që të jetë në përputhje me kërkesat dhe standardet e GJEDNJ.[112]

Ligji nr.98/2017, ka për objekt  përcaktimin e llojeve të tarifave gjyqësore, masën, mënyrën dhe  afatin e pagesës dhe rastet e përjashtimit nga pagimi i tyre.  Sipas këtij ligji, tarifat gjyqësore janë tre llojesh: a) tarifa gjyqësore të përgjithshme, për paraqitjen e çështjeve në gjykata; b) tarifa gjyqësore të veçanta, për kryerjen e veprimeve procedurale në gjykata dhe shërbimet e administratës gjyqësore; dhe c) tarifa gjyqësore shtesë, në funksion të administrimit korrekt të procesit gjyqësor.

Sipas këtij ligji, tarifat e përgjithshme gjyqësore aplikohen përpara fillimit të çështjes dhe, mbi këtë bazë, nis gjykimi. Individi, në shumë raste, i drejtohet gjykatës për të kërkuar një të drejtë, të cilën pikërisht pushteti administrativ publik, nuk ia ka njohur, ia ka cenuar apo cunguar dhe, nga ana tjetër, individi vihet në pozitë të vështirë përballë gjykatës, pasi për t’iu drejtuar asaj dhe që ajo të ketë mundësinë për ta dëgjuar, do të duhet që ai të paguajë, paraprakisht, tarifën gjyqësore. Në jo pak raste, individë me të ardhura të pakta, që nuk plotësojnë as kushtet për të përfituar ndihmën juridike, apo për t’u përjashtuar nga tarifat, për të kërkuar një të drejtë, do të ndodheshin realisht në pamundësi që të fillonin një proces gjyqësor, pikërisht për shkak të detyrimit për të paguar tarifën. Krijimi i barrierave të tilla financiare, do të krijonte premisën që individi të frenohej për t’iu drejtuar një gjykate më të lartë, pasi pavarësisht vullnetit, ai do të ishte në pamundësi për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit për të realizuar pagesën e këtyre tarifave.

Tarifa duhet të synojë të përballojë koston e shërbimit dhe, në çdo rast kur parimi i financimit të pushtetit gjyqësor bie ndesh më parimin e aksesit në gjykatë, është ky i fundit që duhet të mbizotërojë. Gjithsesi, balanca e nevojshme midis respektimit të parimit të aksesit në gjykatë dhe nevojës për të përballuar kostot e sistemit në dhënien e së drejtës, duhet testuar.

 

4.5.2 Treguesit e Realizimit

Realizimi  i këtij standardi, duhet t’i përgjigjet pyetjeve:

  • A ekziston i plotë kuadri nënligjor për pagimin e tarifave[113]?
  • A është e mirëtrajnuar administrata gjyqësore si agjente e mbledhjes së tarifave?
  • Si bashkëpunohet mes disa aktorëvë përgjegjes si; Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, lidhur me rregullat dhe procedurat, që duhen ndjekur lidhur me tarifat gjyqësore?
  • Si menaxhohet nga gjykata, pagesa e tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore?
  • A janë rregullat dhe procedurat e qarta lidhur me tarifimin dhe përjashtimin nga tarifat?
  • A demtohet aksesi efektiv nga pagimi i tarifave gjyqësore?
  • A kanë dijeni grupet vulnerabël për lehtësitë në këtë drejtim?

 

4.5.3 Metoda e Matjes

Studime  dhe monitorime mbi nivelin e zbatimit të kuadrit ligjor lehtësues për garantimin e aksesit në drejtësi, por edhe të kostove dhe shpenzimeve gjyqësore të proceseve. Studime dhe raporte monitoruese, si dhe plotësim i pyetësorëve nga përdoruesit e gjykatave mbi përballimin  e tarifave dhe kostove gjyqësore, sipas metodologjive të CEPEJ[114].

 

 

 

 

[110] Neni 102/1: Shpenzimet gjyqësore përbëhen nga tarifat dhe nga shpenzimet e tjera të nevojshme të gjykimit. Neni 105/1: “Shpenzimet për dëshmitarët, përmbaruesit, ekspertët,përkthyesit dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend,parapaguhen nga pala që i ka kërkuar në shumën që ka caktuar gjykata. Gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e çështjes dhegjendjen pasurore të palëve, me vendim, ia ngarkon njërës ose tëdyja palëve shpenzimet, pavarësisht se cila prej tyre ka kërkuarpyetjen e dëshmitarëve, kryerjen e ekspertimit, thirrjen e përkthyesit ose këqyrjen”. Neni 105/b: Personat që, sipas dispozitave për tarifën, përjashtohen ngapagimi i taksës, përjashtohen edhe nga pagimi i shpenzimeve tëtjera gjyqësore. Në këto raste, shpenzimet përballohen nga fondipërkatës i parashikuar në Buxhetin e Shtetit.

[111]Gnahoré kundër Francës, nr. 40031/98, 19 shtator 2000, prg. 41.

[112]Siałkowska kundër Polonisë, nr. 8932/05, 22 Mars 2007, prg.107

[113] Neni 10-12 i ligjit nr.98/2017.

[114] The CEPEJ “Handbook for conducting satisfaction surveys aimed at court users in Council of Europe’s member states.