Misioni i Organizatës

Shembja e skemave piramidale në 1997 dëshmoi përveç të tjerash edhe për kolapsin e strukturave qeveritare dhe jo-qeveritare shqiptare. Pavarësisht se faktori determinues në shpërthimin e turbullirave ishte humbja e parave nga ana e publikut të gjerë, kaosi që pllakosi vendin ishte gjithashtu prova e dobësisë së sistemit ligjor dhe strukturave të shoqërisë civile: shteti ligjor u zëvendësua sa hap e mbyll sytë nga anarkia. Për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme nga ana e Shtetit dhe mos-ekzistencës së strukturave të shoqërisë shqiptare të pavarura nga partitë politike dhe të organizuara mire, ligjet e Shtetit Shqiptar ishin miratuar pa analizën e duhur të zbatimit praktik dhe impaktit të tyre. Në këtë situatë, një grup juristësh shqiptare, me formim perëndimor, në bashkëpunim me një organizatë jo-fitimprurëse perëndimore ndërmorrën themelimin e një organizate të pavarur jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare me seli në Tiranë- Instituti Për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL). Që prej krijimit të saj, ISPL ka marrë përsipër misionin e saj në dy drejtime:

(i) Juridik-të ofrojë asistencë ligjore jashtë-partiake dhe, nëse është e nevojshme, trainime për organizatat qeveritare, jo-qeveritare dhe ndërkombëtare me aktivitet në Shqipëri, dhe;

(ii) Politikat publike-të identifikojë dhe trajtojë çështjet kryesore që preokupojnë qeverisjen dhe shoqërinë civile në Shqipëri përmes analizash të thelluara rekomandimesh të plota.

Vërehet mjaft shpesh se qeveria, me asistencën e këshilltarëve ndërkombëtarë, miraton e
zbaton ligje e politika të parafabrikuara pa i kaluar paraprakisht ato në filtrin e një sistemi të kontrollit dhe vlerësimit nga individë e grupe të interesuar.

Shkurt, ka pasur dhe vazhdon të ekzistojë një hendek i konsiderueshëm midis ligjvënësve e politikëbërësve nga njëra anë dhe publikut të gjerë nga ana tjetër. Duke pasur parasysh këtë fakt, ISPL do të përpiqet t’a ngushtojë këtë hendek duke lidhur, në aktivitetet e saj, aspektin ligjor të çështjeve të trajtuara me politikat përkatëse të adoptuara nga autoriteti publik. Në të njëjtën kohë, ISPL synon të informojë/ndërgjegjësojë publikun e gjerë përmes publikimit të revistave e studimeve të ndryshme nga autorë profesionistë në çështje të ligjit dhe të politikave publike si dhe organizimit të seminareve e debateve publike për çështjet më me interes të shoqërisë shqiptare.

Contact Us

Get in Touch

Adresa

Sheshi. “Skenderbej ” Pallati Kultures (QTZHK), kati II, Nr.9, Tirana, Albania .

Tel/Fax

+355 4 2267009

Email

info@ipls.org