Rreth Projektit

Objektivi: “Nxitja e integritetit gjyqësor dhe zvogëlimi i mundësive të korrupsionit në gjyqësorin shqiptar”.
Qëllimi: “Të promovojë integritetin gjyqësor dhe të zvogëlojë mundësitë e korrupsionit në gjyqësor”.

Shqipëria ka përfunduar kohët e fundit fazën rregullatore të një reforme të gjerë gjyqësore. Reforma është në pritje të zbatimit, pritje e cila është zgjatur për shkak të një ngërçi politik. Ndër qëllimet kryesore të kësaj reforme është lufta kundër korrupsionit në gjyqësor. Reforma përmban masa të gjera që synojnë uljen e korrupsionit në gjyqësor, duke përfshirë përmirësimin e statusit të gjykatësve, racionalizimin e procedurave gjyqësore, intensifikimin e zbulimit të pasurisë së gjyqtarëve etj. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit në gjyqësor nuk është një hap i njëanshëm. Edhe në qoftë se reforma arrin të kufizojë korrupsionin gjyqësor në Shqipëri, rezultatet e saj duhet të jenë të qëndrueshme. Politikat dhe mjetet e menaxhimit duhet të rishikohen vazhdimisht për të siguruar që integriteti gjyqësor të jetë sipas standarteve. Prandaj është e domosdoshme të krijohet një kornizë funksionale dhe e përhershme për monitorimin e integritetit gjyqësor në vazhdimësi. Ky projekt propozon të bëjë pikërisht këtë. Me fjalë të tjera, synon të plotësojë masat antikorrupsion të reformës duke krijuar një mekanizëm për monitorimin e integritetit gjyqësor në vazhdimësi, duke u siguruar kështu politikëbërësve, menaxherëve të gjykatave si edhe publikut paralajmërime në kohë, nëse treguesit e standarteve të integritetit janë në rënie.

01.
Përshkrimi i Situatës

Gjyqësori në Shqipëri shihet gjerësisht si i korruptuar nga opinioni publik dhe vëzhgues të tjerë, vendas apo të huaj. Në një sondazh të vitit 2009, të titulluar “Korrupsioni në Shqipëri: Perceptimet dhe Përvojat”, Instituti për Kërkime Zhvillimore dhe Alternativa zbuloi se shqiptarët besonin se rezultati i gjykimeve është kryesisht i ndikuar nga interesat financiare, lidhjet me bizneset, njohjet personale me gjyqtarët si dhe lidhjet politike.

 

Në vitin 2012, Qendra për Transparencë dhe Informacion të Lirë ka realizuar një anketë me 58% të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, prej të cilëve 25% besonin se sistemi i drejtësisë është i korruptuar, ndërsa 58% besonin se sistemi ishte perceptuar si i korruptuar. Duket e arsyeshme të besohet se këto perceptime kanë një bazë reale, perderisa një numër i madh i vetë gjyqtarëve i besojnë ato.

Nga ana tjetër, perceptimi i korrupsionit përcaktohet dhe nga disa faktorë si: kohëzgjatja e tejzgjatur e procesit, vonesa në arsyetimin e vendimeve, cilësia e dobët e shërbimit gjyqësor, sjellja jo miqësore e gjyqtarëve dhe e administratës gjyqësore, mungesa e transparencës dhe e komunikimit efektiv mes gjykatave dhe përdoruesve të shërbimeve të tyre, kontaktet joformale ndërmjet gjyqtarëve dhe palëve, mënyra e jetesës e pajustifikuar e gjyqtarit etj. Pavarësisht matjes së rregullt të perceptimit të publikut për korrupsionin gjyqësor, nuk ekzistojnë forma specifike të studimeve për faktorët themelorë të korrupsionit në Shqipëri.

Implementimi i këtij projekti premton ta plotësojë këtë mangësi.

02.
Metodologjia e përdorur

Grupi i ekspertëve të këtij projekti u angazhua në punën kërkimore të studimeve, materialeve të ndryshme vendase dhe të huaja, si dhe në legjislacion.

U kryen një sërë seminaresh me grupet e synuara dhe palët e tjera që synojnë mbledhjen e pikëpamjeve të tyre mbi dy aspekte: (i) objektivat e performancës; (ii) treguesit specifikë dhe të besueshëm që janë në gjendje të tregojnë me saktësi dhe në intervale të rregullta (të ashtuquajturat tregues SMART) nëse objektivat e përcaktuara të performancës janë arritur apo jo. Pas përfundimit të këtyre veprimtarive, të cilat ndihmuan në arritjen e një konsensusi të gjerë mes grupeve të synuara dhe palëve të tjera të interesit lidhur me atë se çka duhet të monitorohet në mënyrë që të arrihet të kuptohet nëse gjyqësori në përgjithësi apo gjykata është e prirur për korrupsion ose nëse ka prova të korrupsionit.

Konsensusi u materializua në një dokument politikash me titull “Lista e Kontrollit të Masave Mbrojtëse kundër Korrupsionit në Gjyqësor” të miratuar zyrtarisht nga grupet e synuara (KLGJ, MD dhe gjykatat).

Duke përdorur metodologjinë e mësipërme u perzgjodhën 35 faktorë të rezultuar si më të përshtatshëm, të cilat janë të ndarë në 7 kapituj.

Çdo faktor ka të shpjeguar: i) Standartet e performances; ii) Treguesit e realizimit; iii) Metodën e matjes.

I gjithë ky material i hollësishëm është i paraqitur në faqen e internetit të dedikuar për këtë projekt: www.migj.al

Për realizimin e këtij projekti u angazhua një grup ekspertësh të IPLS-së. Pas një pune kërkimore dhe një sërë workshop-esh me grupet e synuara dhe palët e tjera të interesuara, u arrit në përzgjedhjen, mes metodave të ndryshme në dispozicion, e metodës më të përshtatshme për të monitoruar integritetin gjyqësor.

U diskutua me grupet e synuara dhe përzgjedhja e katër faktorëve që u monitoruan, si dhe metodologjia që u ndoq për realizimin e monitorimit (pyetesorë, forma të tjera të intervistimit, statistika, raporte studimore CEPEJ, etj).

 

Dokumenti i quajtur “Lista e Kontrollit të Masave Mbrojtëse kundër Korrupsionit në Gjyqësor” prej 35 faktorësh dhe monitorimi i katër prej këtyre faktorëve u publikuan në faqen e internetit të dedikuar për këtë projekt: www.migj.al

03.
Rezultatet e projektit:
  1. Një dokument i quajtur “Lista e Kontrollit të Masave Mbrojtëse kundër Korrupsionit në Gjyqësor”
  2. Një metodologji kombëtare për monitorimin e integritetit gjyqësor në Shqipëri, i miratuar gjerësisht nga grupet e synuara dhe palët e tjera të interesit, së bashku me rritjen dhe qëndrueshmërinë e kapaciteteve të aktorëve të jashtëm dhe të vetë gjyqësorit për të monitoruar rigorozisht integritetin gjyqësor në Shqipëri.
  3. Rezultatet e monitorimit të katër prej faktorëve të listës së lartë-përmendur, në një nga gjykatat e përzgjedhura. Ky monitorim ka për qëllim, përveç të tjerash, dhe demonstrimin në formën e një ushtrimi të kryerjes së monitorimit.
  4. Një faqe interneti e dedikuar për këtë projekt.
04.
Grupet e synuara

Grupet e synuara të këtij projekti janë:

  • Politikëbërësit në fushën e gjyqësorit (Parlamenti dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor),
  • menaxherët e gjykatave (Këshilli i Lartë Gjyqësor, këshillat e gjykatave, kryetarët e gjykatave dhe kancelarët),
  • parlamenti, dhe
  • shoqëria civile.