V. KOMPETENCA DHE PËRKUSHTIMI PROFESIONAL

Pse duhet vlerësuar/matur

 Shteti i të drejtës nënkupton jo vetëm pavarësinë e gjyqësorit, por edhe gjykata kompetente që janë në gjendje të vënë në zbatim një drejtësi cilësore. Nëse kompetenca plotëson si vlerë pavarësinë, kjo e fundit  plotësohet nga përkushtimi, ose angazhimi për të përmbushur në mënyrë të ndershme detyrat gjyqësore, d.m.th, detyrën gjykimore dhe detyrën për administrimin e ndershëm të gjykatave,(përkushtimi ndaj vlerave profesionale/deontologjia).

Përkushtimi individual i gjyqtarit ndaj detyrës dhe vlerave profesionale  nënkupton se detyra si gjyqtar e një individi ka përparësi ndaj të gjitha aktiviteteve të tjera të tij, madje mund të sjellë kufizime në sjelljen dhe jetën individuale, ndryshe nga ato të qytetarëve të tjerë. Të treja së bashku, (pavarësia, kompetenca dhe përkushtimi ndaj vlerave profesionale), janë prerekuzita, që gjyqësori të performojë me standartet e duhura në përmbushjen e funksionit të tij gjykues, si mbrojtës i lirisë dhe vendosës i drejtësisë në një shoqëri demokratike.[115]

Zelli apo përkushtimi profesional nënkupton se gjyqtari jo vetëm duhet të jetë kompetent, por duhet t’i përmbushë të gjitha detyrat e tij në mënyrë sa më: a) eficente b) të ndershme dhe c) me gatishmëri të arsyeshme,  në kohën e duhur dhe pa vonesa të pajustifikuara.[116] Gjyqtari duhet të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj “taktikave vonuese” të palëve, ndaj “fryrjes së paarsyeshme” të kostove gjyqësore për palët, duhet të japë vendime sa më të arsyetuara, si dhe të bëjë përpjekje personale për përmirësimin e kompetencës së tij profesionale, d.m.th jo të mbështetet vetëm në trajnimet institutionale.

Kompetenca përfshin: a) kompetencen juridiko-gjyqësore b) aftësitë ekstragjyqësore si administrator i cështjeve në gjykim apo si Kryetar Gjykate, c) ato të komunikimit c) si dhe cilësitë personale që duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e ushtrimit të funksionit gjyqësor.[117]

 

 

[115] Parimi/Vlera 6 e Parimeve të Bangalore për Sjelljen e Gjyqësorit

[116] Paragrafi 6.5, I Vlera 6 të Parimeve të Bangalore për Sjelljen e Gjyqësorit

[117] Neni 9, pika 1 shkronja “a”, neni 3, pika 5 e Ligjit nr.96/2016