5.2 – Procesi përzgjedhës dhe emërimi / promovimi

5.2.1 Standartet e Performancës  

Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve parashikohen me ligjin nr.115/2016[119]. Aplikantët i nënshtrohen konkursit, i cili zhvillohet nën monitorim. Testimi i dijeve gjatë konkursit të pranimit bëhet së paku me shkrim[120].

Thirrja për aplikime, procesi i regjistrimit për konkurrim në Shkollën e Magjistraturës dhe vlerësimi paraprak për plotësimin e kritereve kryhen sipas rregullave të parashikuara në ligjin nr.96/2016[121].  Vlerësimi i formimit fillestar të kandidatit për gjyqtar bëhet sipas neneve 267-269 të ligjit nr.115/2016.

I diplomuari emërohet gjyqtar, nëse plotëson njëkohësisht këto kritere: a) është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, në formimin fillestar, me të paktën 70 për qind të pikëve maksimale të mundshme; b) është vlerësuar minimalisht “mirë” për të gjitha detyrat e dhëna gjatë stazhit profesional në vitin e tretë të formimit fillestar; c) ka kaluar sërish verifikimin e pasurisë dhe figurës, të kryer nga KLGJ[122].

Rregulla ligjore për vlerësimin, ngritjen në detyrë duhet të  njihen mirë ndërmjet gjyqtarëve. Këto rregulla duhet të trajtohen në arsimin ligjor fillestar të kandidatëve për gjyqtarë në Shkollën e Magjistraturës.

 

5.2.2 Treguesit e Realizimit

Kriteret dhe procesi përzgjedhës në emërimin për herë të parë në detyrë, janë të rëndësishme, jo vetëm për pavarësinë dhe paanësinë politike, por edhe për profesionalizimin e gjyqësorit[123]. Treguesit e realizimit duhet të orientohen nga përgjigja për këto pyetje:

  • Kriteret ligjore të përzgjedhjes dhe emërimit për herë të parë, janë apo jo objektive dhe të bazuara mbi meritën[124]?
  • Konkurrenca për emërimin në detyrë, a është e bazuar mbi kritere objektive dhe meritokratike?
  • A është procesi transparent, dhe nëse ekzistojnë garancitë de facto të qëndrimit në detyrë?
  • Përputhshmëria e kritereve ligjore me praktikat institucionale/ A janë procedurat profesionale të emërimit, transparente dhe objektive?
  • Cilat janë kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve në nivele më të larta, sipas kategorive që përcakton ligji?
  • Nga juridiksioni i përgjithshëm në juridiksionin e posacëm (antikorrupsion, të krimeve të rënda)
  • Të Apelit
  • Të Gjykatës së Lartë
  • Të Gjykatës Kushtetuese

 

5.2.3 Metoda e Matjes

Analiza dhe monitorime mbi emërimin në detyrë të gjyqtarëve, sipas  kritereve ligjore dhe standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Sondazhe dhe anketime në  kategorinë e të sapoemëruarve si gjyqtarë, për perceptimin e tyre mbi meritokracinë në emërim dhe zbatimin e procedurave dhe rregullave ligjore.

 

 

 

[119] Neni 136/a i Kushtetutës

[120] Neni 266 i ligjit nr.115/2016

[121] Ibid, neni 262

[122] Neni 35 i ligjit nr.96/2016

[123] Neni 1, pika 1 shkronja ‘b” e ligjit nr.96/2016

[124] Neni 35 pika 1 i Ligjit nr.96/2016;  Opinion nr.403/2006/16-17 Mars 2007 i Komisionit të Venecias “Për emërimet gjyqësore”