5.3 – Sistemi/et e vlerësimit të gjyqtarëve të emëruar në detyrë

5.3.1 Standartet e Performancës

“Skema e vlerësimit” i referohet tërësisë së rregullave të vlerësimit etik dhe profesional, të gjyqtarëve[125]. Sistemi i vlerësimit bazohet dhe zbatohet nëpërmjet këtyre parimeve: a) parimi i pavarësisë, sipas të cilit procesi i vlerësimit nuk duhet të ndërhyjë në pavarësinë e gjyqtarit; b) parimi i meritokracisë dhe i zhvillimit të karrierës, sipas të cilit vlerësimi i veprimtarisë së  gjyqtarit kryhet duke i dhënë rëndësinë më të madhe vlerave profesionale dhe cilësisë në punë, në funksion të zhvillimit të karrierës profesionale; c) parimi i efikasitetit, sipas të cilit vlerësimi i veprimtarisë kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë, me anë të procedurave të thjeshta dhe në afate kohore të arsyeshme për të siguruar të dhëna në kohën e duhur për karrierën e gjyqtarit; ç) parimi i procesit të rregullt ligjor, sipas të cilit në procedurën e vlerësimit respektohen standardet e procesit të rregullt ligjor për  gjyqtarin, duke përfshirë të drejtën për t’u njohur me aktet, të drejtën e aksesit në dosjen e vlerësimit, të drejtën për të marrë pjesë në proces, të drejtën e kontradiktoritetit, të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën për t’u mbrojtur, të drejtën për të pasur një akt vlerësimi të arsyetuar dhe të drejtën për t’u ankuar mbi aktin e vlerësimit; d) parimi i konfidencialitetit, sipas të cilit subjektet e ngarkuara me detyrën e vlerësimit janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të  gjyqtarit që vlerësohet, si dhe të dhënat e tij personale, sipas legjislacionit në fuqi[126].

Vlerësimi i gjyqtarëve dhe Kryetarit parashikohet e detajuar si procedurë në nenet 89-97 të ligjit nr.96/2016. Vlerësimi kryhet sipas kritereve: a) aftësive profesionale të gjyqtarit; b) aftësive organizative; c) etikës dhe angazhimit ndaj vlerave profesionale të gjyqtarit; ç) aftësive personale dhe angazhimit profesional[127].

Rregulla ligjore për vlerësimin, duhet të  njihen mirë ndërmjet gjyqtarëve. Këto rregulla mund të trajtohen në arsimin ligjor fillestar të gjyqtarëve në Shkollën e Magjistraturës.

 

5.3.2 Treguesit e Realizimit

Ezksitenca e kuadrit ligjor parësor dhe dytësor për vlerësimin e gjyqtarëve. Ekzistenca e pikëzimit dhe ndërtimit të një sistemi objektiv të vlerësimit. Ekzistenca dhe zbatimi i një procesi të rregullt ligjor/administrativ për gjyqtarët nën vlerësim. Gjyqtarë të emëruar në detyrë dhe të vlerësuar sipas një sistemi objektiv të vlerësimit, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ligjore. Realizimi i vlerësimit, duhet të tregojë se:

  • A ndërhyn procesi i vlerësimit në pavarësinë e gjyqtarit?
  • A garanton sistemi i vlerësimit, meritokraci, bazuar në vlera profesionale dhe cilësisë në punë?
  • A është sistemi i vlerësimit, efikas dhe i shpejtë?
  • A garanton sistemi i vlerësimit të drejtat procedurale të gjyqtarit?
  • A garanton sistemi i vlerësimit, shpejtësi, efikasitet, dhe domosdoshmëri, që t’i vlejë gjyqtarit për karrierë në gjyqësor?

  

5.3.3 Metoda e Matjes

E njëjtë si tek 5.1.3. dhe 5.2.3. Ndërthurje e metodologjive të matjes, mes kritereve objektive dhe subjektive, sipas standardeve më të mira, rekomanduar nga CEPEJ dhe CCJE.

Vlerësimi individual i gjyqtarëve në Shqipëri përkundrejt standardeve ndërkombëtare, veçanërisht standardeve të hartuara nga CCJE-ja në Opinionin e saj nr.17, (2014) “Për vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit”.

Raporti i ENCJ-së  dhe Raporti 17 (2014) 4 i CCJE-së bëjnë dallimin ndërmjet sistemit formal dhe informal të vlerësimit individual të gjyqtarëve[128]. Nëse vlerësimi individual bëhet në mënyrë formale, përcaktohet qartësisht qëllimi i vlerësimit, kriteret e përdorura, përbërja dhe përgjegjësitë e organit vlerësues, si dhe pasojat e mundshme të vlerësimit, shpesh me anë të legjislacionit parësor. Në një sistem formal vlerësimi, zakonisht gjyqtari merr një vlerësim/klasifikim formal. Për më tepër, vlerësimi ka shpesh pasoja të drejtpërdrejta, të tilla si mundësi më të mira për ngritje në detyrë, rritje të pagës, ose madje dhe shkarkim nga detyra.

Sistemi i vlerësimit informal zakonisht nuk përdor as vlerësime/klasifikime dhe as kritere formale. Zakonisht vlerësimi informal nuk ka pasoja të drejtpërdrejta, por shërben për të dhënë informacion rreth gjyqtarit objekt vlerësimi. Megjithatë, edhe mbledhja informale e informacionit rreth një gjyqtari që është kandidat për ngritje në detyrë, mund të konsiderohet vlerësim informal. CCJE-ja e identifikon pajtimin e pavarësisë së gjyqësorit me vlerësimin individual të gjyqtarëve si çështje vendimtare.

 

 

 

[125] Neni 2/ll i ligjit nr.96/2016.

[126] Neni 69 i ligjit nr.96/2016

[127] Neni 71 i ligjit nr.96/2016

[128] Raporti i periudhës 2012-2013 i Rrjetit Evropian të Këshillave Gjyqësorre (ENCJ) për standardet minimale lidhur me vlerësimin e performancës profesionale dhe mos-heqjen nga detyra të anëtarëve të gjyqësorit, kreu 2, fq. 10.