5.5 – Ndershmëria e procedurave dhe metodave përzgjedhëse për përparimin në karrierë/promovimi

5.5.1 Standartet e Performancës  

Vlerësimi individual i gjyqtarëve duhet të synojë përmirësimin e cilësisë të punës së gjyqësorit, pa cënuar pavarësinë. Procesi i vlerësimit individual të gjyqtarëve duhet të kryhet në interes të publikut në përgjithësi. Vlerësimi individual i gjyqtarëve nuk duhet të kompromentojë asnjëherë parimin e pavarësisë së gjyqësorit.[136] Në fund, duhet të mbizotërojë pavarësia e gjyqësorit[137].

 

5.5.2 Treguesit e Realizimit  

Vlerësimi dhe shqyrtimi i kuadrit ligjor, Kreu II, nenet 71 dhe në vijim të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e Magjistratëve”. Realizimi si tregues, duhet t’i përgjigjet ketyrë pyetjeve:

  • A garanton sistemi i vlerësimit individual ruajtjen e respektit të plotë për pavarësinë e gjyqësorit?
  • A ka vlerësimi pasoja mbi ngritjen në detyrë dhe karrierën e gjyqtarit, ose mbi “pagën e bazuar në performancën e tij”, mbi pensionin, ose në lidhje me largimin e tij nga detyra?
  • A ekzistojnë papajtueshmëri në lidhje me autoritetin, që kryen vlerësimin me atë që merr vendimet mbi ngritjen në detyrë dhe karrierën e gjyqtarit[138]?
  • A ekziston rreziku që gjyqtari nuk do të marrë vendime objektive në interpretim të ligjit dhe fakteve, pra do t’i mungojë kjo “liri e brendshme” nga frika e dizavantazheve dhe sanksioneve, që rrjedhin nga vlerësimi?
  • A janë kriteret e vlerësimit formal objektive[139], të paracaktuara me ligj, dhe a përdoren ato për qëllime legjitime?
  • A janë kriteret dhe procedurat e vlerësimit në përputhje me detyrat kryesore të gjyqtarit në një demokraci, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës?
  • A janë burimet[140] ku bazohet vlerësimi, të besueshme?
  • A janë vlerësimet të thelluara, dhe a përcaktohen tregues sasiorë (analiza statistikore) dhe cilësorë për matjen e performancës së gjyqtarit[141]?
  • A përfshin vlerësimi: 1) kompetencën juridike; 2) kompetencën në praktikat administrative të menaxhimit të çështjeve gjyqësore;  dhe 3) kompetencën sociale të gjyqtarit në marrëdhënie me palët, për komunikimin dinjitoz dhe me respekt për ta, etj.[142]
  • A është procedura e vlerësimit efektive, e ndershme, dhe ai i shërben interesit publik në tërësi, apo deformohet duke u përdorur në qëllime të tjera jolegjitime?
  • Cili është impakti i procedurës së vlerësimit në cilësinë e punës së gjyqësorit? Po në karrierën e gjyqtarit? Sa realist është vlerësimi për avancimin në karrierë?

 

5.5.3 Metoda e Matjes

E njëjtë si tek 5.1.3., 5.2.3., 5.3.3., 5.3.4. 5.4.4. Ndërthurje e metodologjive të matjes, mes kritereve objektive dhe subjektive, sipas standardeve më të mira, rekomanduar nga CEPEJ dhe CCJE.

 

 

 

[136] Opinion nr.179, (2014) i CCJE “Për vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësisë së drejtësisë, dhe respektimit të pavarësisë gjyqësore”, dhe neni 69 pika 1 i Ligjit nr.96/2016

[137] Opinioni 17 (2014), para. 46 i CCJE-së

[138] Neni 88,  shkronja “c” të Ligjit nr.96/2016.

[139] Nenet 72, 73, 74, dhe 75 të Ligjit nr.96/2016

[140] Neni 77 i Ligjit nr.96/2016

[141] Neni 78 i Ligjit nr.96/2016

[142] Rekomandimet e Kiev-it; Kyiv Recommendations on Judicial Independence in Eastern Europe, South Caucasus and Central Asia,  23-25 qershor 2010.