6.2 – Menaxhimi i të dhënave gjyqësore

6.2.1 Standartet e Performancës  

Shërbimet e teknologjisë së informacionit sigurojnë: a) mirëmbajtjen dhe administrimin e bazës së të dhënave në gjykatë, të mbajtura në formë elektronike nëpërmjet sistemeve kompjuterike, duke respektuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale; b) ruajtjen e rregullt të statistikave të gjykatës[148].

Shërbimi i arkivit gjyqësor mban dhe administron dokumentacionin gjyqësor, i cili përfshin dosje, regjistra dhe akte të tjera gjyqësore, si dhe akte që lidhen me veprimtarinë administrative të gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat shtetërorë. Shërbimi i arkivit gjyqësor bashkëpunon me Arkivin Shtetëror të Sistemit Gjyqësor për ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit[149].

Pranë Gjykatës së Lartë, funksionon Qendra e dokumentacionit që bën: a) sigurimin e publikimit të menjëhershëm të vendimeve të Gjykatës së Lartë, në përputhje me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale; b) analizën dhe vlerësimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe siguron publikimin e ekstrakteve të vendimeve kryesore, si dhe publikimin e vendimit të plotë; c) ndjekjen dhe studimin e praktikës gjyqësore të gjykatave të tjera dhe gjykatave ndërkombëtare, si dhe u jep gjyqtarëve, ndihmësmagjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë jomagjistratë informacion mbi interpretimin e ligjit nga ana e gjykatave[150].

 

6.2.2 Treguesit e Realizimit

Ekzistenca e infrastrukturës njerëzore, dhe teknologjike për administrimin e të dhënave. Krijimi dhe mirëmbajtja e arkivave gjyqësore. Realizimi, duhet t’i përgjigjet ketyrë pyetjeve:

  • Sa i përgjigjen standardeve të dokumentimit, kushtet buxhetore, infrastrukturore të gjykatës?
  • Sa ky shërbim i arkivit plotëson standardet e ruajtjes dhe sigurisë?
  • Sa i mjaftueshëm është personeli i arkivës dhe dokumentimit?

 

6.2.3 Metoda e Matjes

Analizë dhe ballafaqim të kërkesave ligjore me situatën faktike në çdo gjykatë.

 

 

 

[148] Neni 47 i ligjit nr.98/2016

[149] Ibid, neni 48.

[150] Neni 35 i ligjit nr.98/2016