6.4 – Efektiviteti i praktikave të punës së gjykatave, në raport me objektivat specifikë të përmendur në faktorin 6.3

6.4.1 Standartet e Performancës  

Gjykatat si institucione, duhet të zbatojnë afata kohore gjyqësore sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, dhe në përputhje me afatin e arsyeshëm të GJEDNJ.

Afatet Kohore mund të konsiderohen instrumente operacionale, pasi janë synime konkrete për të matur në çfarë shkalle ndjekin gjykatat, dhe më në përgjithësi administrata e drejtësisë, shpejtësinë e gjykimit të çështjes, dhe më tej parimin e një gjykimi të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme, siç kërkohet nga KEDNJ.

 Afati kohor – periudha e kohës brenda së cilës duhet të zgjidhen një numër apo përqindje e caktuar çështjesh, duke marrë parasysh vjetërsinë e çështjeve në gjykim. Afatet kohore per zhvillimin e proceseve gjyqësore nuk duhen ngatërruar me afatet procedurale, të cilat i referohen një çështjeje të vetme/individuale[174].

Afatet kohore janë një instrument menaxhues, dhe mund të përcaktohen nga autoritetet qendrore (p.sh. Këshilli Gjyqësor, Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë, Parlamenti) dhe/ose gjykatat. Ka tre hapa kryesorë për t’u ndjekur nga gjykatat: 1) Diagnostikimi i gjendjes aktuale, 2) Vendosja e Afateve Kohore për gjykatën, 3) Monitorimi i Afateve Kohore.  Më pas, mbështetur tek Monitorimi, Gjykata mund të vendosë një Afat Kohor tjetër për të ardhmen (p.sh. për vitin e ardhshëm), duke u përpjekur vazhdimisht të përmirësojë punën drejt arritjes së  afatit kohor të dëshirueshëm për të gjitha çështjet që gjykon[175].

 

6.4.2 Treguesit e Realizimit

Njësoj si tek 6.3.2. Realizimi si tregues, duhet t’i përgjigjet ketyrë pyetjeve:

  • A vlerësohet impakti që ndryshimet legjislative kanë në ngarkesën e punës në gjykata, për të ndryshuar burimet njerëzore dhe kapacitete të tjera të tyre në përshtatje me ndryshimet?
  • A ka tregues të përformancës, të matshëm dhe të monitorueshëm?
  • A bëhet shpërndarja e çështjeve mbi bazën e kritereve objektive, të njohura dhe të bëra publike paraprakisht[176]?
  • A ka një sistem elektronik të menaxhimit të çështjeve të aksesueshëm nga të gjitha gjykatat?
  • Si është ngarkesa për çdo gjyqtar në raport me ngarkesën e gjykatës?
  • Si është ngarkesa në raport me numrin e përgjithshëm të punonjësve të gjykatës, që punojnë drejpërdrejt në funksion të dhënies së drejtësisë nga gjyqtarët?
  • Si zbatohet modeli menaxherial, duke u kaluar realizimi i detyrave në nivel gjykate, krahasuar me realizimin e centralizuar  nga KLGJ[177]?
  • A ka tregues që vlerësojnë performancën e gjykatave, në lidhje me përmbushjen e objektivave?
  • Si identifikohen nevojat për përmirësime të cilësisë së punës në menaxhimin e brendshëm të gjykatave?

 

6.4.3 Metoda e Matjes

Si më lart tek 6.3.3. Efektiviteti i punës së gjykatave është e lidhur me sjelljen organizative dhe elementët strukturalë të brendshëm dhe standardet e SATURN mund të përdoren si orientim për efektivitetin e menaxhimit të brendshëm[178]. Monitorimi i procedurave gjyqësore, përmes statistikave, lidhur me informacion mbi një çështje të caktuar, mbi kohëzgjatjen e  çështjeve  mesatarisht në gjykatë, mbi faktorët ndikues në zgjatjen e çështjeve të lidhura me menaxhimin e brendshëm të gjykatës, me administrimin e çështjes nga gjyqtari përkatës, ose me faktorë të jashtëm, (p.sh. avokatët, prokurorët, njoftimet, adresat).

 

 

[174] Afatet procedurale zakonisht përcaktohen nga ligji procedural dhe kërkojnë që një veprim të kryhet brenda një kohe të specifikuar, përndryshe do të ketë pasoja ligjore.

[175] CEPEJ, 2016, Udhëzues zbatimi “Drejt afateve europiane për proceset gjyqësore”.

[176] Paragrafi 21 i Opinionit nr.19 (2006), CCJE,  “Mbi rolin e Kryetarëve të Gjykatave”.

[177] Checklist for promoting the quality of Justice and the Courts/CEPEJ (2008)2,  C/24.

[178] CEPEJ-SATURN (2015) 2, “SATURN guidelines for judicial time management”.