7.1 – Buxheti dhe procedurat e caktimit të tij

7.1.1 Standartet e Performancës

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe sistemi gjyqësor financohen nga Buxheti i Shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.  Buxheti vjetor i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemit gjyqësor është pjesë e Buxhetit të Shtetit dhe ndjek të gjitha procedurat e hartimit dhe zbatimit të tij, të parashikuara në legjislacionin përkatës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për hartimin e buxhetit vjetor dhe afatmesëm të tij në konsultim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

Këshilli i Lartë Gjyqësor merr pjesë në mbledhjen e Kuvendit ku diskutohet projektbuxheti i sistemit gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për mbikëqyrjen e shpenzimeve, shpërndarjen e fondeve dhe mbajtjen e llogarive të sakta, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për sistemin buxhetor në Republikën e Shqipërisë[1].

Për zbatimin e buxhetit, Këshilli i Lartë Gjyqësor kryen detyrat e mëposhtme: a) ndihmon gjykatat në hartimin e projektbuxheteve të tyre vjetore; b) mbledh dhe analizon të dhëna mbi zbatimin e buxhetit dhe të ardhurat e siguruara nga gjykatat;c) mbikëqyr dhe këshillon gjykatat mbi teknikat dhe procedurat e përshtatshme dhe efiçiente që lidhen me menaxhimin financiar të tyre; ç) vendos standarde të praktikave më të mira dhe objektiva të performancës, në lidhje me administrimin financiar të gjykatave; d) siguron trajnim për stafin gjyqësor mbi menaxhimin financiar të gjykatave; dh) ndërmerr projekte me synimin për të përmirësuar menaxhimin financiar të gjykatave;  e) merr hapa të tjerë për të lehtësuar gjetjen e fondeve të mjaftueshme dhe të vazhdueshme për gjykatat; ë) bashkëpunon dhe kërkon fonde nga agjencitë e tjera vendase dhe ndërkombëtare në lidhje me funksionet e Këshillit.

Njësia e administrimit të buxhetit gjyqësor, pranë KLGJ ka këto kompetenca kryesore:a) studion dhe përcakton nevojat për buxhet të të gjitha hallkave të gjyqësorit në bashkëpunim me sektorët financiarë të gjykatave të të gjitha niveleve;b) përpunon treguesit financiarë që kanë lidhje me kërkesat dhe veprimtarinë e gjykatave;c) kontrollon përdorimin e fondeve që u janë dhënë gjykatave sipas destinacioneve.

Lidhur me veprimtarinë e njësisë së administrimit të buxhetit gjyqësor, Këshilli ushtron këto kompetenca:a) miraton projektbuxhetin vjetor dhe afatmesëm të propozuar nga njësia për çdo nivel të gjykatave dhe ia dërgon atë për shqyrtim organit kompetent për shqyrtim dhe miratim, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit përkatës; b) auditon dhe monitoron përdorimin fondeve të akorduara dhe analizon kërkesat e gjykatave për fonde që mund të lindin gjatë vitit buxhetor.

Fondet në dispozicion të Këshillit dhe të gjykatave përdoren për këto qëllime: a) për pagat dhe sigurimet shoqërore të anëtarëve dhe personelit të Këshillit, si dhe të gjyqtarëve, nëpunësve civilë gjyqësorë dhe punonjësve të tjerë të gjykatave; b) për plotësimin e nevojave për shpenzimet operative të Këshillit dhe të gjykatave, si dhe për veprimtari të tjera gjyqësore;c) për ndërtimin ose meremetimin e godinave, si dhe për investime të tjera; ç) për mbulimin e shpenzimeve të gjykatave, lidhur me dhënien e ndihmës së detyrueshme juridike, në rastet e parashikuara në dispozitat ligjore të veçanta[2].

Kryetari i Gjykatës, mban kontakt me grupet e kontrollit të institucioneve të tjera shtetërore, njihet me qëllimin dhe objektin e kontrollit dhe u krijon atyre mundësi për ushtrimin e detyrës.

Drejtoria e Auditimit të Brendshëm në KLGJ, realizon auditimin e buxhetit gjyqësor. Kjo drejtori ushtron kompetencat e auditimit dhe monitorimit të përdorimit të fondeve të akorduara për të gjitha gjykatat e vendit, duke filluar nga Gjykata e Lartë, e apelit dhe të shkallëve të para[3].

 

7.1.2 Treguesit e Realizimit

Realizimi duhet të orientohet nga përgjigjet, bazuar në këto pyetje:

  • Cilat janë parimet e financimit të gjykatave?
  • Si bëhet shpërndarrja e buxhetit nëpër gjykata? Si identifikohen nevojat?
  • A ka një përllogaritje se sa është kosto e një çështje gjyqësore?
  • A ka trajnime mbi mënyrën e menaxhimit të buxhetit për Kryetarin e Gjykatës?
  • Si planifikohet fillimisht buxheti i Gjykatës, mbi bazën e cilave kritere, procedurave, dhe cilat janë hallkat e përfshira, (Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, strukturat nga gjyqësori)?
  • A merren parasysh pikëpamjet e gjyqtarëve në hartimin e buxhetit?
  • Kush ka kompetencën ligjore për menxhimin e buxhetit?
  • Pas alokimit të buxhetit për cdo gjykatë, si ndodh kontrolli financiar?
  • Si ndodh llogaridhënia dhe kontrollohet transparenca për përdorimin e ligjshëm dhe eficent të buxhetit të gjykatës?

 

7.1.3 Metoda e Matjes

Përdoren të njëjtat metodologji, sipas standardeve ndërkombëtare dhe kombëtare të menaxhimit të buxhetit publik.  Monitorim nga auditim i brendshëm dhe i jashtëm, sipas standardeve të monitorimit. KLSH me raportimet dhe standardet e kontrollit mbi mirëmenaxhimin buxhetor dhe zonat e rriskut të mungesës së integritetit financiar. Praktikat e denoncimit të korrupsionit sipas Ligjit për Sinjalizuesit. Statistika mbi nivelin e realizimit buxhetor, mungesës së realizimit dhe arsyeve dhe shkaqeve ligjore, ose të natyrave të tjera. Statistika mbi shpërdorimin e buxhetit, vënia para përgjegjësive sipas kompetencave të niveleve drejtuese dhe menaxhuese financiare. Tregues të llogaridhënies ligjore, në raport me zbatimin e  buxhetit do të ishin dhe numri i procedimeve disiplinor edhe penale.

 

 

 

 

[183] Neni 95 i Ligjit nr.115/2016.

[184] Ibid, neni 96.

[185]Neni 96, pika 4, te ligjit nr. 115/2016 “Per organet e qeverisjes se sistemit te drejtesise”, te ligj it nr. 114/2015 “Per auditimin e brendshem ne sektorin publik” dhe pikes 25 te Vendimit te Keshillit te Ministrave nr. 893, date 17.12.2014 “Per miratimin e rregullave te organizimit dhe te funksionimit te kabineteve ndihmese, te organizimit te brendshem te institucioneve te administrates shteterore, si dhe per procedurat e hollesishme per pergatitjen, propozimin, konsultimin dhe miratimin e organizimit te brendshem”.