7.2 – Burimet Njerëzore, mjaftueshmëria dhe cilësia e tyre

7.2.1 Standartet e Performancës

Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të burimeve njerëzore në gjykata. Specifikisht, Këshilli kryen detyrat e mëposhtme: a) hedh të dhënat dhe përditëson Regjistrin Qendror të Personelit për nëpunësit civilë gjyqësorë dhe punonjësit administrativë të gjykatave; b) publikon dhe shpall konkurrim të hapur për vendet e lira në shërbimin civil gjyqësor, si dhe fillimin e procedurave për ngritjen në detyrë dhe lëvizjen paralele; c) emëron kancelarin e gjykatës dhe ndihmësit ligjorë, si dhe merr masa disiplinore ndaj tyre; ç) miraton dhe përditëson rregullat e procedurës që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë; d) cakton përfaqësuesin e tij në Këshillin e Gjykatës; ë) miraton Kodin e Etikës për nëpunësit civilë gjyqësorë pas konsultimit me këshillat e gjykatave; f) kujdeset për mirëadministrimin e pasurive të paluajtshme të gjykatave në bashkëpunim me kryetarin e gjykatës dhe këshillin e gjykatës; g) ngre komisionin e ristrukturimit në rastet e mbylljes ose ristrukturimit të gjykatave; gj) kujdeset për krijimin dhe funksionimin e sistemit të arkivimit gjyqësor, si dhe menaxhimin dhe administrimin e tij[186].

Kancelari i çdo gjykate krijon dhe administron dosjen individuale për çdo nëpunës civil gjyqësor dhe punonjësi të administratës së gjykatës. Dosja individuale përmban të dhëna profesionale për çdo nëpunës civil gjyqësor dhe punonjës të administratës, si dhe çdo të dhënë tjetër në lidhje me shërbimin civil gjyqësor ose marrëdhënien e punës[187]. Kancelari i Gjykatës reflekton në Regjistrin Qendror të Personelit, të dhënat e përcaktuara nga ligji. Kancelari i paraqet Këshillit të Lartë Gjyqësor, informacionin e kërkuar nga ligji.[188]

Administrata gjyqësore realizon misionin e saj nëpërmjet shërbimeve të mëposhtme:

a) shërbime gjyqësore, që mbështesin drejtpërdrejt veprimtaritë gjyqësore, duke përfshirë dokumentimin dhe veprimtari që kryhen nga këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë, kryesekretarja dhe sekretarët gjyqësorë;

b) shërbime administrative, që përfshijnë financën dhe buxhetimin, marrëdhëniet me jashtë dhe me publikun, teknologjinë e informacionit, arkivin gjyqësor, sigurinë, si dhe burimet njerëzore;

c) shërbime mbështetëse, që sigurojnë në mënyrë të veçantë kryerjen e shërbimeve të njoftimeve, dhënien ndihmë trupit gjykues dhe kryesuesit të seancës, si dhe çdo veprimtari tjetër që ka të bëjë me rregullin dhe sjelljen e përshtatshme gjatë seancës gjyqësore, shërbimet e transportit, mirëmbajtjen e mjediseve të gjykatës[189].

 

7.2.2 Treguesit e Realizimit  

Realizimi duhet të orientohet nga përgjigjet, bazuar në këto pyetje:

  • Si rekrutohen, trajnohen dhe zhvillohet karriera e personelit jogjyqësor, Kancelarit dhe Kryetarit të Gjykatës, në mënyrë që të kemi personel cilësor dhe të motivuar në shërbim të qytetarëve dhe drejtësisë?
  • A ka kritere minimale për kualifikimet e personelit jogjyqësor, dhe cila është procedurave për përzgjedhjen e tyre, a janë ato objective dhe transparente?
  • A publikohen njoftimet për vendet e lira të punës?
  • A ka një politikë të shanseve të barabarta dhe jodiskriminimit në punësim?
  • A ka një proces intervistimi?
  • A ka një politikë kundër konflikteve të interesit dhe nepotizmit?
  • Cilat janë mënyrat e ndërhyrjes për të minimizuar kompleksitetet dhe dublimet/përsëritjet e panevojshme në personel dhe praktika të punës?
  • Cilat janë linjat e autoritetit dhe ndërveprimi ndërmjet Kryetarit të Gjykatës dhe Kancelarit?
  • Kur emërohet një Kryetar Gjykate a është një ndër kriteret e përzgjedhjes edhe vizioni i tij për drejtimin e gjykatës?
  • Si kontrollohet nëse ky vision përkthehet në masa dhe veprime konkrete, që i sjellin dobi punës në gjykatë?
  • Cili është roli i Këshillit të Gjykatës?[190]
  • Sa arrin ky këshill të përmbushë si vizionar lidershipin e gjykatës, që drejton së bashku me organet e tjera të qeverisjes së gjyqësorit?

 

7.2.3 Metoda e Matjes

Metodat e matjes për kapacitetet njerëzore, sipas standarteve të CEPEJ mbi eficencën dhe efikasitetin, që si element ka mjaftueshmërinë e stafit jo – gjyqësor, si dhe matje të nivelit të zbatimit të kërkesave për staf, sipas parametrave ligjorë të përcaktuar në ligj. P.sh. ligji parashikon parametra orientues për numrin e këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë, dhe raportet numerike krahasuar me gjyqtarët e gjykatës përkatëse.

 

 

 

[186] Neni 90 i ligjit nr.115/2016

[187] Neni 63 i ligjit nr.98/2016

[188] Neni 88 i ligjit nr.98/2016

[189] Ibid, neni 49

[190] Nenet 26 dhe 27 të Ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”