7.5 – Disponueshmëria e ekspertizës teknike, dhe roli ndërveprues i gjyqësorit me aktorë dhe faktorë të tjerë të jashtëm, me ndikim në performancën e tij

7.5.1 Standartet e Performancës

I gjithë ambjenti institucional, shoqëror, ekonomik, social, përfshihet si ndërveprues i jashtëm me gjyqësorin, si edhe aktorët ndërkombëtarë, që ndihmojnë gjykatat me asistencë teknike dhe donacione. Përgjegjësitë e aktorëvë të përfshirë në sistemin gjyqësor, janë të lidhura me: – qasjen e politikës dhe politikanëve, që nuk duhet të bëhen pengesë me qëllim ndaj kërkesave të gjyqësorit për buxhet dhe infrastrukturë njerëzore; – nga shoqatat e gjyqtarëve, që duhet të nixsin pavarësinë dhe integritetin e anëtarësisë së tyre; – nga avokatët dhe prokurorët, si ndikues të drejpërdrejt në veprimtarinë  gjyqësore me rolin dhe ekspertizën e tyre; – nga shoqatat apo grupimet ekonomike, që mund të tentojnë të ndikojnë sipas interesit të grupimit të tyre, dhënien e drejtësisë; – nga Media, e cila nuk duhet të minojë me qëllim vendimmarrjen e gjyqësorit dhe ta deligjitimojë atë, por ta ndihmojë dhe të promovojë punën e mirë të gjyqësorit; – nga shoqëria civile, e cila duhet të marrë pjesë dhe kontribuojë në edukim ligjor, por edhe në shpjegimin e qëndrimeve të gjyqësorit ndaj çështjeve të caktuara me interes publik; – nga programe asistuese të gjyqësorit dhe donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë, që promovojnë dhe ndihmojnë reformat në gjyqësor dhe ndajnë njohuritë më të mira mbi diagnostikimin, vlerësimin dhe performancën e gjyqësorit sa i përket eficencës dhe efikasitetit[194].

 

7.5.2 Treguesit e Realizimit

Ekzistenca e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione të ndryshme me ekspertizë të lartë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ekzistenca dhe organizimi i tryezave të bashkëbisedimit për çështje me qasje multidisiplinore, ( ligjore, ekonomike, sociale), mes disa aktorësh, bartës të interesave publikë dhe gjykatave. Ekzistenca e platformave bashkërenduese për komunikimin për çështje të lartë interesi publik, sipas një ligjerimi dhe formati të standardeve europiane mes gjyqësorit dhe aktorëve të tjerë bashkëveprues me të.  Realizimi, do të duhej të orientohej nga pyetje si:

  • Sa në nivelin e duhur të edukimit janë politikanët lidhur me mbështetjen  ndaj gjyqësorit, si domosdoshmëri për interesin publik të dhënies së drejtësisë?
  • Sa reagues mund të jetë gjyqësori në mbrojtje të veprimtarisë së tij nga sulmet e papërshtatshme të politikës?
  • Sa ndihmuese është Media në raport me nevojat e Gjyqësorit? Sa ndihmon ajo interesin publik në raport me raportimet ndaj gjyqësorit?
  • Po programet të ndryshme të donatorëve sa ndihmë konkrete japin? A ka rezultate të prekshme në këtë drejtim? Si duhet të maten ato?
  • Po aktorë si prokurorët dhe avokatët, si i qasen procesve gjyqësore? Si ndikojnë ata në dhënien e drejtësisë nga gjykata?
  • Po grupet e biznesit si i qasen gjyqësorit? Sa të mbrojtura janë gjykatat nga ndikimet e grupeve të forta ekonomike- financiare, kur qëllimet e tyre bien ndesh me interesin e gjerë publik? Si qëndron raporti dhe trendi i përgjithshëm në vend, mes lirisë ekonomike të bizneseve dhe interesit publik më të gjerë, që garantohet në gjykatë, se sa interesi ekonomik i grupeve financiare? A prodhohen studime në këtë drejtim?

 

7.5.3 Metoda e Matjes

Monitorime, statistika  dhe vlerësime mbi grupe të ndryshme interesi që me punën e tyre, dhe rolin në shoqëri, ndikojnë  mbi performancën e gjyqësorit. Informacione të kryqëzuara mes disa burimesh informacioni, lidhur me qasjen dhe ndikimin e agjentëve të jashtëm në performancën e gjyqësorit.

 

 

 

[194] Advocacy Toolkit, “Combating Corruption in Judicial System”, Transparency International,  The Global Coalition Against Corruption, fq.22-32.